Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pezullimi i Belinda Ballukut, Gjykata Kushtetuese shtyn sërish datën e shqyrtimit

Pezullimi i Belinda Ballukut, Gjykata Kushtetuese shtyn sërish datën e

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë sërish seancën ku do të shqyrtohet ankimimi i qeverisë për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zëvendëskryeministre. Mësohet se mbledhja e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese do të mblidhet ditën e premte më 12 dhjetor 2025.

Kushtetuesja argumenton se shtyrja është bërë për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe prej kërkesës së disa prej anëtarëve të saj.

Njoftimi:

Në vijim të njoftimeve të mëparshme për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj. Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata e Posaçme vendosi që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën. Ajo u mor e pandehur disa javë më parë për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera pasi akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese./dritare.net