Na ndiqni edhe në

Shqip

Plakja në Shqipëri. E vërteta e hidhur nga një mjeke që iku në Gjermani!

Plakja në Shqipëri. E vërteta e hidhur nga një mjeke

Në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, Erifili Tili, geriatre në Gjermani tregoi se në vendin ku ajo punon pacienti i moshuar nuk kthehet kurrë menjëherë në shtëpi pas spitalit. Ai kalon në rehabilitim, në kujdes të specializuar dhe më pas në shërbim social të certifikuar. “Në Shqipëri çdo gjë bie mbi familjen. Nuk ka hallka të ndërmjetme. Dhe familjarët shpesh nuk dinë të kujdesen si duhet”, tha ajo.

Demenca në Shqipëri: Turp, fshehje dhe asnjë strukturë. Dr. Fili: Nuk është më thjesht problem, është krizë!

Në intervistë, Dr. Tili ngriti alarmin për mënyrën si trajtohen të moshuarit me demencë në Shqipëri. “Shumë familje e fshehin sëmundjen, e kanë frikë ta thonë. Nuk ka institucione të posaçme, nuk ka trajnim dhe nuk ka as staf të certifikuar. Kjo është krizë kombëtare që po vjen drejt nesh,” tha ajo.

Kujdestarë pa shkollë, pa certifikim, pa përgjegjësi. Ky është treg i zi që rrezikon jetën.

Mjekja tregoi se në Shqipëri po lulëzon një treg i zi i kujdestarëve të të moshuarve: njerëz pa asnjë formim profesional që mbajnë në dorë jetë njerëzish të pambrojtur. “Në Gjermani një gabim i tillë të çon në gjykatë. Në Shqipëri, askush nuk mban përgjegjësi,” tha ajo.

Shqipëria po plaket më shpejt se Evropa. Nuk jemi gati për këtë valë!

Gjatë bisedës, Dr. Tili paralajmëroi se Shqipëria po hyn në një shoqëri të plakur pa asnjë strukturë shtetërore për ta përballuar. “Do përballemi me një krizë të madhe. Të moshuarit do jenë të vetëm dhe familjet e pamundura t’i mbajnë,” tha ajo.

Sistemi gjerman: Hallka që lidhen. Shqipëria: improvizim dhe familjarë të rraskapitur.

Dr. Tili e përshkroi qartë dallimin: “Në Gjermani spitali, rehabilitimi, shtëpia e të moshuarve dhe kujdesi shtëpiak punojnë si zinxhir. Në Shqipëri, zinxhiri nuk ekziston. Çdo hallkë është në ajër. Një i moshuar me demencë në Gjermani ka dinjitet, privatësi, trajtim. Në Shqipëri shpesh fshihet në një dhomë se ‘na turpëron’. Ky mentalitet duhet të ndryshojë.

Në fund të intervistës, Dr. Tili dha apelin: “Nëse nuk ndërtojmë rehabilitim, kujdes geriatrik, trajnime dhe institucione, kriza e të moshuarve do na zërë të papërgatitur.”

Në fakt ajo na ka zënë tashmë, pohoi Rudina Xhunga ndërsa theksoi se familjarët që kujdesen për të moshuarit në Shqipëri nuk bëhen mjekë, por pacientë. Sepse kujdesin për të moshuarit e bën geriatria, ndaj ajo realizoi këtë emision për të kuptuar si funksionon jashtë me të moshuarit që ua mbulojnë sigurimet shëndetësore këtë hallkë./ dritare.net