Polarizimi politik dhe sfida për rendin botëror
Dritare.net

Nga: Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi
Rendi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka qenë kurrë i lirë nga politika e forcës, por ai është mbështetur mbi një marrëveshje të heshtur. Sipas kësaj marrëveshje fuqitë e mëdha i ndjekin interesat e tyre brenda disa kufijve normativë. Sovraniteti, integriteti territorial, vetëpërmbajtja në përdorimin e forcës ushtarake dhe përfshirja e aleatëve dhe institucioneve ndërkombëtare në vendimmarrje nuk janë kuptuar vetëm si detyrime morale, por kryesisht si kushte të rëndësishme për të ruajtur stabilitetin ndërkombëtar.
Nuk përbën lajm të ri që ky rend botëror, i cili funksionon prej mëse 80 vitesh sot është nën presion. Ajo çka e bën situatën aktuale veçanërisht problematike është fakti se sinjalet kryesore të erozionit të rendit botëror aktual nuk vijnë nga periferia e sistemit, por nga vetë shefi i tij, presidenti i SHBA.
***
Zhvillimet e ditëve të fundit, filluar me operacionin ushtarak në Venezuelë, te retorika kërcënuese ndaj disa vendeve të tjera e deri te rikthimi i debatit mbi aneksimin e Groenlandës nga SHBA, vështirë se mund të shpjegohen si episode të shkëputura. Ato tregojnë më tepër një zhvendosje në logjikën e ushtrimit të pushtetit, ku ushtrimi i forcës po çlirohet gradualisht nga “prangat” e rregullave e normave 80-vjeçare për ruajtjen e paqes në botë.
Rrëmbimi i Nicolás Maduro-s nga forcat speciale amerikane në territorin venezuelian kërkon një analizë më të zgjeruar. Në planin e brendshëm juridik amerikan, është e mundur që procedimi penal ndaj tij të vazhdojë pa u ndalur te mënyra se si ai u soll para një gjykate amerikane. Praktikat e mëparshme tregojnë se sistemi ligjor i SHBA-së nuk e lidh domosdoshmërisht vlefshmërinë e ndjekjes penale me vlerësimin e ligjshmërisë ndërkombëtare të arrestimit.
Por ky dimension juridik nuk e prek thelbin e problemit. Pyetja thelbësore që duhet shtruar është se çfarë pasoje ka për rendin ndërkombëtar fakti që një superfuqi e përdor forcën ushtarake në mënyrë të njëanshme për të zgjidhur një konflikt politik, duke anashkaluar mekanizmat multilateralë dhe pa një mandat të qartë ndërkombëtar. Në këtë këndvështrim, çështja nuk ka të bëjë aq me fatin personal të Maduro-s, sesa me mesazhin që një veprim i tillë dërgon për mënyrën si kuptohet sot përdorimi i forcës.
Precedentët në politikën ndërkombëtare funksionojnë sipas një logjike të pamëshirshme. Ato nuk mbeten të kufizuara vetëm në rastin që i ka prodhuar dhe as te aktori që i ka krijuar. Një veprim që sot paraqitet si përjashtim i justifikuar mund të shndërrohet nesër në pikë reference për të tjerët. Pikërisht për këtë arsye, precedenti bëhet më i rëndësishëm se rasti konkret, pasi ai i dobëson rregullat e parimet që synojnë të kufizojnë përdorimin e forcës dhe e bën politikën e faktit të kryer gjithnjë e më të pranueshme.
Një logjikë e ngjashme shfaqet edhe në çështjen e Groenlandës. Këtu nuk kemi të bëjmë me një shtet kundërshtar, por me një territor të një shteti aleat të NATO-s. Vetë ideja se një aleat mund të vihet nën presion territorial nga presidenti amerikan, pra nga shefi që supozohet ta garantojë sigurinë e tij, minon themelet e aleancës euroatlantike. Aleancat funksionojnë mbi besim dhe respekt reciprok, jo mbi presion asimetrik. Në momentin që kërcënimi, qoftë edhe në formë retorike, bëhet mjet politik brenda aleatëve të NATO-s, arkitektura e sigurisë kolektive e humbet koherencën e saj.
Megjithatë duhet thënë se kambanat e alarmit kanë muaj që kanë rënë, qysh kur presidenti Trump miratoi vitin e kaluar Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK) për SHBA. Në ndryshim nga shumë vende të tjera, ky dokument i rëndësishëm strategjik konsiderohet si dokument ekzekutiv dhe nuk miratohet nga Parlamenti, dmth. nga Kongresi.
SSK e SHBA-së e vitit 2025 parashikon një zhvendosje të qartë të SHBA nga roli tradicional i saj si garant universal i rendit ndërkombëtar drejt një qasjeje selektive, transaksionale dhe të bazuar në interesin kombëtar të SHBA. Ky dokument strategjik pranon hapur kufijtë e fuqisë amerikane, vendos si prioritete kryesore hemisferën perëndimore dhe konkurrencën me Kinën në rajonin Indo-Paqësor dhe e trajton Europën jo më si qendër strategjike nën kujdesin e saj të drejtpërdrejtë - sikurse ka qenë historikisht deri tani -, por si partner dytësor që duhet të marrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë e saj. Sipas këtij koncepti strategjik, aleancat dhe NATO nuk do të braktisen, por mbështetja amerikane bëhet e kushtëzuar nga kontributi i aleatëve, ndërsa multilateralizmi humbet karakterin normativ dhe shndërrohet në instrument praktik. E thënë më troç, kjo strategji nuk synon të ruajë më rendin botëror liberal të pasvitit 1945, por kërkon të menaxhojë një botë më të fragmentuar, më konkurruese dhe më të paqëndrueshme, ku stabiliteti nuk garantohet më nga rregullat, por nga raporti i forcës dhe besueshmëria te masat parandaluese.
Sipas politologut të mirënjohur gjerman, profesorit të universitetit të Këlnit, Thomas Jäger, këto zhvillime në politikën e jashtme të SHBA nuk mund të kuptohen të ndara nga dinamika e brendshme politike. Përkundrazi, ato janë shprehje e të njëjtit stil qeverisjeje, si personalizim i pushtetit, konflikt i përhershëm me sistemin dhe delegjitimim sistematik i kufizimeve institucionale. Raportimet mbi frikën e hapur të Donald Trump nga një procedurë e tretë impeachment-i (procedurë kushtetuese e shkarkimit të presidentit) dhe presioni i drejtpërdrejtë ndaj deputetëve republikanë që kanë kritikuar ndërhyrjen në Venezuelë, e ilustrojnë qartë këtë logjikë. Po ashtu, gjithmonë sipas Prof. Jäger, presidenti Trump nuk e konsideron kontrollin parlamentar si një element normal të qeverisjes demokratike, por e shikon si kërcënim ekzistencial ndaj pushtetit të tij personal. Më tej, presidenti Trump nuk e shikon humbjen e mbështetjes së shumicës në Kongres si rrezik për agjendën politike të Partisë Republikane, por si rrezik për vetë mbijetesën politike të presidentit.
Historia ka treguar se demokracitë shemben rrallë përmes akteve spektakolare. Kryesisht, ato dobësohen përmes erozionit gradual të rregullave e normave që i mbajnë institucionet funksionale. Kur kontrolli institucional perceptohet si armiqësi, procedurat kushtetuese paraqiten si armë politike dhe kur përdorimi i forcës, brenda dhe jashtë vendit, i nënshtrohet gjithnjë e më shumë oportunitetit politik të momentit, institucionet e humbasin funksionin e tyre stabilizues, edhe pse vazhdojnë të ekzistojnë formalisht.
Sa më sipër, Prof. Jäger shtron tre skenarë të mundshëm për zhvillimin e situatës brenda sistemit politik në SHBA:
Në skenarin e parë, institucionet amerikane tregojnë rezistencë. Kongresi, gjykatat dhe institucionet amerikane vazhdojnë të vendosin kufij ndaj pushtetit ekzekutiv edhe pse gjenden nën presion të vazhdueshëm. Përvoja ka treguar se gjykatat janë vënë nën presion publik kur vendimet nuk i janë përshtatur presidentit, i cili i ka shpallur ato “të politizuara”, “të padrejta” ose produkt i një elite armiqësore. Në raport me Kongresin, presioni po ushtrohet përmes personalizimit ekstrem të besnikërisë politike. Kongresmenët nuk trajtohen si përfaqësues të një pushteti të pavarur kushtetues, por si aleatë ose kundërshtarë personalë. Ata që mbështesin linjën e presidentit shpërblehen politikisht, ndërsa ata që kërkojnë kontroll ose llogaridhënie ekspozohen ndaj presionit publik, kërcënimeve elektorale dhe delegjitimimit brenda partisë. Në këtë kuptim, mekanizmi kushtetues i kontrollit shndërrohet në test besnikërie personale. Një element qendror në analizën e Prof. Jäger është mënyra se si presidenti Trump e riformulon idenë e kontrollit institucional. Impeachment-i, hetimet parlamentare apo vendimet gjyqësore nuk paraqiten si procedura normale të një demokracie funksionale, por si “sulme” ndaj vullnetit të popullit. Kjo retorikë e zhvendos konfliktin nga sfera procedurale në atë morale. Kush e kritikon presidentin paraqitet jo si kundërshtar politik legjitim, por si armik i popullit ose i rendit.
Si rrjedhim, argumenton më tej prof. Jäger, dëmi që shkaktohet është i dukshëm. Polarizimi politik thellohet, besimi publik në institucione gërryhet dhe proceset demokratike perceptohen gjithnjë e më shumë si instrumente të luftës partiake. Stabiliteti arrihet jo përmes konsensusit, por përmes një gjendjeje konflikti të përhershëm.
Skenari i dytë përshkruan një gjendje paralize institucionale. Vendimet e politikës së jashtme mund të prodhojnë kriza të brendshme. Përplasjet partiake bllokojnë procedurat kushtetuese dhe shteti humbet aftësinë për të vepruar në mënyrë koherente. Demokracia mbetet formalisht e paprekur, por dobësohet funksionalisht. Për aleatët, Shtetet e Bashkuara mbeten një aktor të fuqishëm, por të vështirë për t’u parashikuar, çka shpie në një situatë që dëmton rendin ndërkombëtar po aq sa shkeljet e hapura të rregullave.
Skenari i tretë dhe më problematiku është ai i normalizimit. Sjellja politike që sot perceptohet si devijim normalizohet dhe shndërrohet në sjellje standard. Institucionet nuk rregullohen, por përshtaten. Kontrolli ushtrohet në mënyrë selektive, sepse kostoja politike e tij bëhet shumë e lartë. Në politikën e jashtme, SHBA largohet gradualisht nga roli i garantueses së rendit të bazuar në rregulla dhe vepron gjithnjë e më shumë sipas interesit të momentit. Demokracia mbetet në letër, por humbet përmbajtjen e saj liberale.
Koha do ta tregojë se cili nga skenarët do të pasojë. Sipas analizave e njoftimeve mediatike pritet që në ditët në vijim Kongresi të fokusohet kryesisht në rivendosjen e rolit të tij mbikëqyrës ndaj veprimeve të administratës Trump. Demokratët do të kërkojnë raporte të detajuara dhe do të zhvillojnë debat mbi bazën ligjore të operacionit në Venezuelë dhe mbi kompetencat e presidentit për përdorimin e forcës pa autorizim paraprak. Po ashtu, parashikohet paraqitja e rezolutave që kufizojnë përdorimin e forcës të ekzekutivit, ndërsa retorika rreth impeachment-it do të mbetet e pranishme, por pa u shndërruar menjëherë në procedurë konkrete.
Sa më sipër, ditët e ardhshme pritet të jenë më tepër një fazë testimi dhe pozicionimi politik, sesa procedurë vendimmarrjeje përfundimtare. Ato do të tregojnë nëse Kongresi është i gatshëm të ushtrojë realisht kontroll institucional, apo nëse konflikti do të mbetet kryesisht në nivel simbolik.
***
Pyetja që kemi zgjedhur si titull të kësaj analize, “A do të mbajnë institucionet amerikane”, nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë. Gjithë bota ndjek në ankth zhvillimet politike në SHBA dhe ajo çka mundon shumë njerëz - përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve - është nëse institucionet amerikane do të vazhdojnë të jenë garantuese e rendit aktual botëror, çka nuk është vënë asnjëherë në dyshim deri tani. Sigurisht që institucionet nuk qëndrojnë në mënyrë të vetëkuptueshme. Ato duhet të jenë historikisht të konsoliduara dhe strukturalisht të forta. Qëndrueshmëria e tyre varet nga gatishmëria e aktorëve politikë për ta pranuar kufizimin e pushtetit si kusht të legjitimitetit dhe jo si pengesë personale. Nëse kjo gatishmëri zbehet, institucionet fillojnë të konsumohen ngadalë. Konsumimi i heshtur dhe jo kolapsi spektakolar e me zhurmë përbën sot rrezikun më serioz për demokracinë amerikane dhe rrjedhimisht edhe për rendin ndërkombëtar që vetë SHBA ka ndihmuar të ndërtohet me gjak, para, djersë e sakrificë./dritare.net