Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pse liderët evropianë nuk kanë një qëndrim të përbashkët për Iranin!

Pse liderët evropianë nuk kanë një qëndrim të

Nga Katya Adler, gazetare e BBC për Europën

Evropa e dinte se kjo mund të ndodhte. Prej javësh, liderët dhe hartuesit e politikave po vëzhgonin grumbullimin e forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Ata dëgjuan kërcënimet e administratës Trump drejtuar Teheranit: Hiqni dorë nga çdo aspiratë bërthamore – përndryshe...

Por që prej nisjes së sulmit SHBA-Izrael ndaj Iranit tre ditë më parë, ky kontinent është dukur në rastin më të mirë i paorganizuar, në mos i përçarë dhe qartësisht pa ndikim, i përfshirë në vorbullën e ngjarjeve.

Secili vend evropian, në mënyrë të kuptueshme, është i shqetësuar për qytetarët e vet në rajon – nëse dhe si mund të kenë nevojë të evakuojnë dhjetëra mijëra persona në total.

Qeveritë evropiane shqetësohen gjithashtu për ndikimin që kriza në zhvillim në Lindjen e Mesme mund të ketë mbi konsumatorët në vendet e tyre. Për shembull, për çmimet e energjisë dhe ushqimeve. Çmimet e gazit në Evropë janë rritur në nivele që nuk janë parë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

SHBA dhe Izraeli kanë vazhduar të godasin objektiva në Teheran.

Në aspektin politik, Evropa po has qartazi vështirësi për të gjetur një zë të përbashkët për zhvillimet e shpejta dhe marramendëse në Lindjen e Mesme.

Treshja e madhe e kontinentit – Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar – arritën të lëshojnë një deklaratë të përbashkët gjatë fundjavës, duke paralajmëruar Iranin se ishin gati të ndërmerrnin “veprime mbrojtëse” për të shkatërruar aftësinë e tij për të lëshuar raketa dhe dronë, nëse Teherani nuk ndalonte “sulmet pa dallim”.

Që atëherë, Mbretëria e Bashkuar ka rënë dakord me një kërkesë amerikane për të përdorur dy baza ushtarake britanike për goditje “mbrojtëse” ndaj objekteve raketore iraniane – megjithëse presidenti Trump ka kritikuar faktin që Britania nuk ka qenë më aktive. Franca po forcon praninë e saj në Lindjen e Mesme pasi një goditje iraniane preku një bazë franceze në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Gjermania thotë se ushtarët e saj mbeten të gatshëm për “masa mbrojtëse” nëse sulmohen, por nuk po planifikohet asgjë përtej kësaj.

Të tre vendet u ndalën pa vënë në pikëpyetje ligjshmërinë sipas të drejtës ndërkombëtare të sulmeve SHBA-Izrael. Vënia në dyshim e Uashingtonit mungoi dukshëm edhe në serinë e postimeve që shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka publikuar.

Një konsideratë kryesore për të gjithë këta liderë evropianë është të mos tjetërsojnë Donald Trump. Ata shpresojnë me dëshpërim që ngjarjet në Lindjen e Mesme të mos bëhen një tjetër shpërqendrim për presidentin amerikan, duke e penguar – sërish – të angazhohet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për një konflikt tjetër, këtë herë në kontinentin e tyre: Ukrainën.

Por a e turbullon situatën shmangia e disa fuqive kryesore evropiane për të komentuar ligjshmërinë e veprimeve të fundit amerikane në Iran apo Venezuelë, për shembull?

Ato shpesh thonë se kjo është një Evropë e vlerave të përbashkëta, që respekton një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Por cilat janë saktësisht këto rregulla?

Kryeministri i Spanjës thotë se për të kjo është e qartë. Pedro Sánchez deklaroi në rrjetet sociale se “mund të jesh kundër një regjimi të urryer, siç është rasti i regjimit iranian… dhe në të njëjtën kohë të jesh kundër një ndërhyrjeje ushtarake të pajustifikuar dhe të rrezikshme jashtë ligjit ndërkombëtar”.

Një numër avionësh amerikanë u larguan nga Spanja të hënën pasi Madridi tha se bazat e tij nuk mund të përdoreshin për sulme ndaj Iranit.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian është dukur tërësisht i paorganizuar. Një deklaratë e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare u ndal pa mbështetur ndryshimin e regjimit në Iran, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian bëri pikërisht këtë të dielën. “Një tranzicion i besueshëm në Iran është urgjentisht i nevojshëm”, tha Ursula von der Leyen në një postim në rrjetet sociale.

Kjo vështirë se ishte një shfaqje e të folurit me një zë të vetëm.

Megjithatë, ambicia e deklaruar e vendeve evropiane, brenda dhe jashtë BE-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar – në këtë botë të re të trazuar të politikës së Fuqive të Mëdha – është të bashkëpunojnë më mirë në fusha me interes të përbashkët, para së gjithash në siguri dhe mbrojtje.

Por pyetja është: a janë realisht të afta ta bëjnë këtë?

Një ndryshim bërthamor

Viti 2026 ka qenë vërtet një vit trazirash: Venezuela, Groenlanda dhe Irani. Evropa përballet me një Rusi ekspansioniste në pragun e saj, një Kinë ekonomikisht agresive dhe një aleat gjithnjë e më të paparashikueshëm në Uashington.

Të hënën, presidenti Emmanuel Macron njoftoi se Franca do të ndryshojë doktrinën e saj bërthamore dhe do të rrisë numrin e kokave bërthamore, sepse, siç tha ai, “konkurrentët tanë kanë evoluar, ashtu si edhe partnerët tanë”.

Rusia ka arsenalin më të madh bërthamor në botë, Kina po zgjeron me shpejtësi kapacitetet e saj, ndërsa SHBA – fuqia e dytë më e madhe bërthamore në botë – ka ofruar për dekada një “ombrellë bërthamore” për Evropën. Por ndryshimi i prioriteteve në Uashington i ka bërë evropianët nervozë.

Suedia, Gjermania dhe Polonia i janë drejtuar drejtpërdrejt Francës për të kërkuar një mbulim më të gjerë evropian, përtej mbrojtjes që tashmë ofrohet nga Mbretëria e Bashkuar, e vetmja fuqi tjetër bërthamore në Evropë.

Macron gjendet në pozicionin “jua thashë unë”, pasi prej vitesh ka kërkuar që Evropa të bëhet më autonome strategjikisht në mbrojtje.

Por koordinimi mbetet një sfidë e madhe. Prokurimi i armëve është një shembull i qartë: ndërsa SHBA përdor rreth 30 sisteme të ndryshme armësh, Evropa ka 178 sisteme, shpesh të dyfishuara. “I paefikas, i shtrenjtë dhe i ngadaltë”, ishte përfundimi i ashpër i presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Instinkti i shumicës së qeverive kombëtare është të mbrojnë industrinë e tyre të mbrojtjes, edhe në kurriz të fqinjëve. Franca shpesh akuzohet për këtë.

Prioritete të formësuara nga historia

Ngjarjet në Lindjen e Mesme tregojnë qartë se çdo vend evropian ka prioritetet, pikat e forta dhe dobësitë e veta, të formësuara nga historia dhe shqetësimet e votuesve.

Gjermania ndjeu nevojën të theksonte qartë këtë javë se nuk planifikon të rrisë praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, aq më pak të marrë pjesë në veprime ofensive – për shkak të ndjeshmërisë historike të shoqërisë gjermane ndaj konflikteve.

Megjithatë, qeveria e re e Friedrich Merz po shkon në një drejtim tjetër: Gjermania është tashmë donatori më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Pas dekadash mbështetjeje në SHBA për sigurinë e saj, Gjermania planifikon të shpenzojë më shumë për mbrojtjen deri në vitin 2029 sesa Franca dhe Britania së bashku, sipas NATO-s. Ajo synon të ndërtojë ushtrinë konvencionale më të madhe në Evropë.

Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni po përpiqet të balancojë mes opinionit publik italian dhe interesave strategjike të vendit të saj. Deri tani, ajo ka mbajtur një profil të ulët për sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit, ndërsa mbetet një nga lideret evropiane me marrëdhënie të ngushta me Donald Trump./L.F-dritare.net