Rama: Nga 1 janari 2026 paga minimale rritet në 500 euro
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektbuxhetin për vitin 2026, duke theksuar se “pjesën e luanit” të këtij buxheti do ta marrin pensionistët. Sipas Ramës, nga 1 janari 2026 do të nisë një plan shumëvjeçar rritjeje për pensionet dhe pagën minimale, në kuadër të mandatit të katërt qeverisës.
Rama njoftoi se për pensionistët do të shtohen 100 milionë euro mbi indeksimin në vitin 2026, ndërsa kjo shumë do të dyfishohet në 200 milionë euro në 2027, trefishohet në 300 milionë euro në 2028, katërfishohet në 400 milionë euro në 2029 dhe pesëfishohet në 500 milionë euro në 2030, përveç indeksimeve vjetore. Në total, sipas kryeministrit, pensionistët do të përfitojnë rreth 1.7 miliardë euro shtesë gjatë pesë viteve të ardhshme.
Gjithashtu, Rama konfirmoi se paga minimale do të rritet në 500 euro duke filluar nga 1 janari 2026, një premtim i bërë më herët nga qeveria. Ai shtoi se kjo do të jetë vetëm rritja e parë, pasi objektivi përfundimtar i mandatit është që paga minimale të arrijë në 700 euro.
Për të mbështetur bizneset private gjatë kësaj periudhe, qeveria do të subvencionojë me 90 milionë euro për 9 muaj koston shtesë të sigurimeve shoqërore që vjen si pasojë e rritjes së pagës minimale.
“Ky jam unë dhe këta jemi ne. Them dhe bëjmë atë që themi,” deklaroi Rama, duke theksuar se 83 mandatet e fituara në zgjedhje janë “83 arsye më shumë për të mos fjetur gjumë, por për të punuar pa pushim për shqiptarët”.
Ai përfundoi se objektivi i qeverisë është që Shqipëria të ulet si e barabartë ndër të barabartët në tryezën e Bashkimit Europian, duke e cilësuar besimin e qytetarëve si një privilegj të jashtëzakonshëm./L.F-dritare.net