
Rama: Paqja në Rajon nuk gjendet duke bërë komentatorin në Facebook por me diplomaci!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama e ka ripërsëritur thirrjen ndaj ndërkombëtarëve që të reagojnë pa qenë vonë në lidhje me situatën në Veri, ku theksoi: “Me Facebook dhe me kolltuk në klubet e natës mediatike mund të nisësh avionët dhe raketat dhe të shkosh ta shkatërrosh armiku, por në realitetin e gjeopolitikës dhe ballafaqimit punohet me strategji dhe diplomaci”.
Rama tha se as rajoni apo Kosova nuk e ndryshon dot fqinjësinë me Serbinë, por ajo që kërkohet është që palët të dialogojnë dhe të vazhdojnë komunikimin për të gjetur paqen.
“E shihni çfarë po ndodh, nuk duhet mençuri e veçantë për të parë të ardhmen, vetëm përqendrim tek vija historike. Nëse sot nuk ka reagim sot do shkojmë aty. Me Facebook dhe me kolltuk në klubet e natës mediatike mund të nisësh avionët dhe raketat dhe të shkosh ta shkatërrosh armiku, por në realitetin e gjeopolitikës dhe ballafaqimit punohet me strategji dhe diplomaci.
E them prapë që ushtria e rregullt e Serbisë nuk hyn dot në Kosovë. Presidentin e Serbisë as nuk e zgjedh dot unë as Kurti apo të gjithë atë që do donin të ishte dikush tjetër. Serbinë as nuk e paketojmë dot që ta nisim në kontinent tjetër as vetë nuk mbledhim bagazhet. Serbia duam apo z’duam është fqinjë me ne. Shqipëria nuk ka asnjë arsye tjetër përveç detyrimit që i vjen për të qenë një vend më i mirë, për të vazhduar të kërkojë në rrugën e marrëdhënieve dhe komunikimit paqen në rajon”, tha Rama./M.K-dritare.net

















