Rama sjell shembujt: Ja pse i kërkova Kushtetueses të heqë pezullimin e Ballukut!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot me një mesazh të gjatë, ku sjell shembuj konkretë për të argumentuar pse ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese heqjen e pezullimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas tij, vendimi ka krijuar pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e qeverisë dhe po pengon proceset shtetërore që kërkojnë firmën dhe autoritetin e ministrit.
Rama thekson se, rrezikohet nënshkrimi i marrëveshjes me Kanadanë për nisjen e fluturimeve transoqeanike, të planifikuara të startojnë në qershor 2026, si dhe janë bllokuar dhjetëra akte të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Më poshtë, postimi i plotë i kryeministrit:
"Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik: Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi ne fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit. Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara.", thuhet në postimin e Ramës./K.C/dritare.net