
Rama u tërheq veshin deputetëve: Zgjohuni, 83 mandatet s’janë arsye për të fjetur!
Dritare.net
83 mandatet që fitoi më 11 maj, për kryeministrin Edi Rama nuk janë një arsye për të fjetur gjumë. Kritikat i ka drejtpërdrejtë me 83 ligjvënësit e zgjedhur, kur gjatë një komunikimi në Facebook, thotë se 83 mandatet nuk janë një arsye për të fjetur, por për tu zgjuar një orë e më parë. Preferon të mos flasë me emra, por thotë se ka pasur edhe nga ata që fjetën gjumë.
“Kemi marrë 83 mandate nga ky popull, kemi marrë 19 mandate në Tiranë. Kemi marrë 9 mandate historike në Vlorë, kemi marrë 12 mandate të paarritshme përveçse me një organizim dhe një punë të madhe, po mbi të gjitha, falë një besimi të madh të njerëzve dhe po ashtu kemi marrë 1 mandat më shumë në Shkodër, kemi marrë 2 mandate më shumë në Elbasan dhe të gjitha këto janë detyrime më shumë ndaj atyre njerëzve që na i kanë dhënë dhe nëse disa për fat të keq brenda nesh i shohin 83 mandate si një arsye më shumë për të fjetur gjumë, u them që jo vetëm që e kanë shumë gabim, por duhet të zgjohen një orë e më parë. Sepse ato 83 mandate janë një arsye më shumë për të fjetur dhe më pak se ç'kemi fjetur, kush në fakt nuk ka fjetur, se ka pasur nga ata që kanë fjetur, edhe nuk e kanë prishur gjumin fare për hir të të vërtetës, por kjo është një histori tjetër dhe brenda dy javësh duhet të kemi inventarët e të gjitha zonave në këto qytete. Duhet të kemi inventarët e të gjitha këtyre kleçkave që ia kanë nxirë jetën banorëve në këto qytete që u kanë nxjerrë komuniteteve të moshuarve, prindërve, fëmijëve dhe që i kanë kthyer territore të tëra në ‘’tokë e xanun’’ në mënyrën më të padrejtë, që të bëhemi gati dhe në dy javëshin e dytë të korrikut, do të vazhdojmë pastaj, për të mos u ndalur më me të gjitha forcat e ligjit, me të gjitha inspektoratet, me të gjitha forcat e policive bashkiake dhe policisë shtetit për ta ngritur një herë mirë në hava këtë ‘’shtëpinë’’ tonë të përbashkët, njësoj siç amvisat ngrenë në hava shtëpinë", tha Rama./E.P-dritare.net

















