Raporti i SPAK/ Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë në fokus gjatë vitit 2025
Dritare.net

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar publikoi më 9 mars Raportin Vjetor për vitin 2025, ku paraqiten zhvillimet kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 është shënuar rritje e volumit të hetimeve penale krahasuar me vitin 2024. SPAK ka hetuar gjithsej 871 procedime penale, prej të cilave 294 janë raste të reja, ndërsa 577 janë procedime të mbartura nga viti i kaluar.
Një nga rezultatet kryesore lidhet me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë të paligjshme, ku vlera totale arrin në rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, 43.49 milionë euro janë asete të sekuestruara, ndërsa 1.91 milionë euro asete të konfiskuara. Në këtë shifër përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave Tether (USDT) me vlerë rreth 12.4 milionë euro.
Raporti thekson gjithashtu vijimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 6 procedime të reja, ndërsa 16 persona janë nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të hetuar, 18 janë dërguar për gjykim, ndërsa 10 janë dënuar me vendime të formës së prerë.
Sa i përket korrupsionit, gjatë vitit janë regjistruar 24 procedime me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë dhe 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. Në total janë hetuar 220 çështje për korrupsion, ndërsa 156 prej tyre janë përfunduar.
Edhe lufta kundër krimit të organizuar ka shënuar rritje, me një shtim të çështjeve të përfunduara nga 58 në vitin 2024 në 60 në vitin 2025, si dhe rritje të numrit të personave nën hetim dhe të atyre të dërguar në gjykatë.
Gjatë vitit 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë 66 vendime dënimi, me 197 persona të dënuar. Prej tyre, 108 persona janë dënuar për vepra që lidhen me korrupsionin, ndërsa 89 për krim të organizuar.
Raporti evidenton gjithashtu ulje të përdorimit të masës së sigurimit “arrest me burg”, duke reflektuar një rritje të përdorimit të masave alternative të sigurisë.
Ndërkohë, SPAK ka intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar, me 95 kërkesa për ndihmë juridike nga jashtë, një rritje prej 35.7% krahasuar me vitin 2024. Partnerët kryesorë përfshijnë Eurojust, Interpol, Europol dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara.
Sipas raportit, rezultatet e vitit 2025 tregojnë progres në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmes hetimeve më intensive, sekuestrimit të pasurive të paligjshme dhe zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar./L.F-dritare.net