Rasti Balluku/ Avokatja Denisa Alliu: Imuniteti nuk është privilegj për t’iu shmangur drejtësisë
Dritare.net

Çështja që lidhet me kërkesën e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku po ndiqet me shumë interes nga publiku. E ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” nga Mikele Kallanxhiu, në DritareTV, avokatja Denisa Alliu theksoi se rasti duhet analizuar me kujdes në planin juridik dhe institucional.
Sipas saj, roli i SPAK-ut në hetimin e korrupsionit në nivele të larta është thelbësor, por çdo kërkesë për masa të forta duhet të mbështetet në prova dhe argumente të qarta ligjore.
“Imuniteti duhet parë si një mbrojtje institucionale për deputetët, jo si një privilegj personal për t’iu shmangur drejtësisë,” u shpreh Alliu.
Ajo shtoi se arresti me burg është masa më e rëndë e sigurisë dhe për këtë arsye kërkon hetime të plota dhe analiza të mirëargumentuara. Sipas saj, masa e sigurimit personal vendoset në bazë të faktorëve si rreziku i ndikimit në prova, te dëshmitarët apo mundësia e largimit nga hetimet.
Avokatja theksoi gjithashtu se bashkëpunimi institucional mes SPAK-ut dhe Kuvendit është i rëndësishëm për një proces të rregullt ligjor, ndërsa hetimet mund të vazhdojnë edhe pa vendosjen e një mase sigurie.
“Fajësinë ose pafajësinë e përcakton vetëm gjykata me një vendim të formës së prerë,” tha ajo.
Sipas Alliu, transparenca dhe respektimi i procedurave janë thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve te drejtësia, ndërsa mënyra se si do të trajtohet kjo çështje mund të shërbejë edhe si precedent për raste të ngjashme në të ardhmen./dritare.net