Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në disa qytete të vendit
Dritare.net

Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin që prej mbrëmjes së djeshme kanë shkaktuar përmbytje dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve, veçanërisht në Durrës dhe Lezhë.
Në Durrës, situata paraqitet problematike në disa akse kryesore, sidomos në zonën pranë stadiumit dhe në shëtitoren e “Vollgës”, ku rrugët janë të mbuluara nga uji, duke e bërë të vështirë lëvizjen e automjeteve dhe qytetarëve. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes.
Në Lezhë, përmbytjet janë më të theksuara në lagjen “Besëlidhja”, ku niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar qarkullimin. Për shkak të situatës, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova”.
Ndërkohë, reshjet e shumta kanë rritur prurjet në lumenjtë Drin, Bunë dhe Gjadër, si dhe nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Vijojnë shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, ndërsa Fierza ndodhet në kuota normale operimi.
Sipas autoriteteve lokale dhe Shtabit të Emergjencave, aktualisht nuk ka rrezik për përmbytje të mëdha, por situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme./L.F-dritare.net