Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SHBA bllokon 4 faqe iraniane që sulmuan Shqipërinë dhe vende të tjera

SHBA bllokon 4 faqe iraniane që sulmuan Shqipërinë dhe vende

Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ) ka njoftuar se ka marrë nën kontroll katër emra domain-i që ishin përdorur nga grupe të lidhura me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS). Domain-et u përdorën për sulme kibernetike ndaj shteteve që konsiderohen armike ndaj Iranit, për shpërndarjen e të dhënave të vjedhura dhe për nxitjen e dhunës kundër disidentëve.

Domain-et e konfiskuara janë:

Justicehomeland[.]org
Handala-Hack[.]to
Karmabelow80[.]org
Handala-Redwanted[.]to


Këto faqe tani shfaqin njoftime të Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së që informojnë përdoruesit se ato janë nën kontrollin e autoriteteve amerikane.

“Shpërndarja e ideologjisë terroriste në hapësirën kibernetike është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kombëtare. Zyra e Prokurorit të SHBA-së është e përkushtuar të bashkëpunojë me partnerët tanë të zbatimit të ligjit për të identifikuar kërcënimet, për t’i çaktivizuar dhe për t’i ndëshkuar autorët e tyre,” tha Kelly O. Hayes, prokurore e SHBA-së për Distriktin e Merillendit.
Sipas njoftimit të Departamentit të Drejtësisë në SHBA, disa nga këto faqe u përdorën për të marrë përgjegjësinë për vjedhjen e dokumenteve të ndjeshme nga organizata qeveritare shqiptare, përfshirë sulmet ndaj sistemit të brendshëm të Kuvendit të Shqipërisë nga grupi “Homeland Justice”.

Veprimi i SHBA-së vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të ndaluar aktivitetet kibernetike të organizuara nga shtete të huaja që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe stabilitetin ndërkombëtar.

“Irani mendoi se mund të fshihej pas faqeve të rreme dhe kërcënimeve nga tastiera për të terrorizuar amerikanët dhe për të heshtur disidentët. Ne morëm nën kontroll katër nga shtyllat kryesore të operacioneve të tyre dhe nuk kemi mbaruar,” deklaroi Kash Patel, drejtor i FBI-së./K.C/dritare.net