Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria mund të detyrohet të importojë gjithçka që konsumohet. Rama: Jemi larg kritereve të BE-së për sigurinë ushqimore

Shqipëria mund të detyrohet të importojë gjithçka

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po zhvillon sot një mbledhje me Grupin Parlamentar të PS-së dhe kabinetin qeveritar në Pallatin e Brigadave. Mbledhja pritet të përfundojë rreth orës 15:00 dhe zhvillohet pak ditë përpara nisjes së sesionit parlamentar për vitin 2026.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se dy vitet e ardhshme janë vendimtare dhe shumë të vështira, pasi Shqipëria duhet të përmbushë kushtet për mbylljen e negociatave dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ai u shpreh se procesi i integrimit është i një natyre të veçantë dhe kërkon angazhim maksimal, qartësi dhe përgjegjshmëri nga të gjitha institucionet.

“Puna që kemi përpara këtë vit është e një natyre të veçantë për shkak të negociatave me BE-në dhe domosdoshmërisë që Shqipëria, brenda një harku kohor të shkurtër, të përmbushë të gjitha kushtet për mbylljen e negociatave të anëtarësimit,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se ende nuk ka një kuptim të plotë, as brenda grupit parlamentar e as në opinionin publik, mbi peshën dhe sfidat që sjell përmbushja e këtyre kushteve, veçanërisht në përballjen me tregun e përbashkët evropian me rreth 450 milionë konsumatorë.

Ai nënvizoi se Shqipëria po negocion periudha kalimtare pas anëtarësimit, një mekanizëm i përdorur edhe nga vende të tjera para saj, për t’i dhënë kohë vendit të përshtatet me standardet e BE-së.

Një nga fushat ku, sipas Ramës, kërkohet vëmendje dhe punë intensive është siguria ushqimore, ku Shqipëria mbetet ende larg standardeve evropiane.

“Jemi larg kritereve të BE-së për sigurinë ushqimore. Nëse këto nuk përmbushen, në momentin e anëtarësimit, produktet shqiptare nuk do mund të shiten jashtë vendit dhe mund të bllokohen edhe brenda tregut vendas,” paralajmëroi Rama.

Ai shtoi se në skenarin më negativ, Shqipëria mund të detyrohet të importojë pothuajse gjithçka që konsumohet, duke theksuar nevojën për vendimmarrje të fortë dhe zero tolerancë ndaj shkeljeve.

“Janë vetëm 10 vite përpara në rastin më të mirë. Nuk kemi luksin të negociojmë sot dhe të diskutojmë nesër,” përfundoi kryeministri./L.F-dritare.net