
Si e zbuloi arkeologu francez Apolloninë! Flet Neritan Ceka
Dritare.net
Apollonia, qyteti antik në jug të Shqipërisë, është ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut. Jo larg Fierit, në rrugën që shkon në drejtim të detit Adriatik, në një largësi rreth 14 km. Apollonia është themeluar rreth fillimit të shek të IV p.e.s. Gërmadhat e Apolonisë u zbuluan në fillim të shekullit të XIX-19-të. Arkeologu Neritan Ceka e ka parë Apolloninë të rindërtohet nga e para, teksa shkonte me të atin, Hasan Cekën, arkeologun e parë shqiptar, që nga viti 1948, për të parë se si rikonstruktohej qyteti ynë antik. Në një intervistë për gazetarin Dritan Hila, nga parku i Apolonisë, zoti Ceka tregon se çfarë zbuloi Leon Rey, deri në vitin 1948 në Apoloni.
“Unë e kam parë Apolloninë, të ndërtohet nga e para. Gjithçka ka qenë e rrënuar, siç e ka gjetur Leon Rey, arkeologu francez në vitin 1930. Për herë të parë në Apoloni kam ardhur me babanë, në vitin 1948. Ne rrinim te një shtëpi që i thoshim ndryshe shtëpia e frëngut, që ishte vila e Leon Reyt. Erdha këtu dhe pashë një çudi sepse vija nga qyteti. Më bënë habi të gjithë gurët të cilët ishin të stolisur me ato shkronjat e pakuptueshme për mua asokohe. Ky ishte prezantimi im i parë me Apolloninë. Kur erdhëm ne në 1948-ën Leon Rey kishte zbuluar këto pjesë të monumentit që shohim ne, por nuk ishte ndërtuar. Kishte zbuluar odeonin, kishte zbuluar një pjesë të stoas, që është në diaton dhe bibliotekën. kishte filluar murin ndarës të Temenosit. Babait iu desh të kompletonte këto qe shohim. Ishte ideja e tij për ta kthyer në një park arkeologjik të vizitueshëm nga turistët. Babai krijoi Parkun e Arkeologjik të Apollonisë dhe muzeun e parë arkeologjik të Apollonisë.”, thotë arkeologu në DritareTV./K.C/dritare.net

















