Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si kryhet testi i aflatoksinës!

Si kryhet testi i aflatoksinës!

Aflatoksina është një nga çështjet më të diskutuara në sigurinë ushqimore, veçanërisht kur bëhet fjalë për qumështin dhe produktet e tij. Në muajin janar, një sasi e konsiderueshme e qumështit të lopëve në disa ferma në vend u kthye mbrapsht, pasi rezultoi me nivele të aflatoksinës mbi normën e lejuar, duke mos plotësuar standardet e sigurisë ushqimore.

Në fabrikën e Lufrës, çdo sasi qumështi që mbërrin i nënshtrohet kontrollit të detyrueshëm për aflatoksinë përpara se të pranohet për përpunim. Procesi i analizës realizohet përmes një testi të shpejtë, i cili garanton rezultate të sakta brenda rreth 10 minutash.

Fillimisht, merret një mostër nga qumështi i pasterizuar dhe hidhet në një gotë sterile, duke respektuar rreptësisht kushtet për të shmangur çdo lloj kontaminimi. Më pas përdoren mikropipeta të posaçme, të dedikuara vetëm për këtë aparat, si dhe fisha specifike për testimin e aflatoksinës.

Mostra vendoset në fishë dhe lihet për disa minuta derisa reaksioni të përfundojë. Pas kësaj, fisha futet në aparatin e leximit, ku rezultati shfaqet në mënyrë automatike. Vlera e matur krahasohet me limitin maksimal të lejuar, i cili është 0.05 ppb.

Në rastet kur rezultati është mbi këtë kufi, qumështi nuk pranohet dhe kthehet mbrapsht. Ndërsa kur vlera është nën normë, si për shembull 0.021 ppb, qumështi konsiderohet i sigurt dhe i pranueshëm për përpunim të mëtejshëm.

Ky kontroll i vazhdueshëm synon të garantojë që vetëm qumështi që plotëson standardet më të larta të sigurisë ushqimore arrin te konsumatori, duke parandaluar rreziqet që lidhen me aflatoksinën dhe duke rritur besimin te cilësia e produkteve vendase./L.F-dritare.net