Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çarja e argjinaturës së Erzenit përmbyti Durrësin/ Prokuroria zbarkon në bashki!

Çarja e argjinaturës së Erzenit përmbyti Durrësin/

Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar sekuestrimin e dokumentacionit që lidhet me tenderin për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen, projekt i realizuar nga Bashkia e Durrësit. Ky vendim vjen pas përmbytjeve të rënda që goditën zonën muajin e kaluar, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe humbjen e një jete njerëzore.

Si rrjedhojë, organi i akuzës ka nisur hetime për tre vepra penale: “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrim prone nga përmbytjet” dhe “Shkatërrim prone nga pakujdesia”. Çarja e argjinaturës së Erzenit solli përmbytje të shumta, veçanërisht në fshatrat Katund i Ri, Sukth dhe Fllakë, ku përveç tokave bujqësore u dëmtuan edhe banesa e biznese.

Ngjarja mori përmasa më tragjike me humbjen e jetës së Astrit Hysenajt, 54 vjeç, punonjës pastrimi në Bashkinë e Durrësit. Ai u raportua i zhdukur pasi nuk u kthye në shtëpi dhe më vonë u gjet i pajetë nga polumbarët në një kanal pranë ish-repartit ushtarak, ku dyshohet se ishte marrë nga rrjedha e fortë e ujit.

Në vendimin e firmosur nga prokurorja e çështjes kërkohet sekuestrimi i të gjithë dokumentacionit pranë Bashkisë së Durrësit që lidhet me procedurat e prokurimit, zbatimit dhe dorëzimit të projektit për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen, si edhe dokumentacioni tekniko-ligjor për lejen e ndërtimit./K.C/dritare.net