Sokoli ma thau shpirtin! Flet për herë të parë Kozeta Mamaqi
Dritare.net

Në një rrëfim të rrallë, në podcastin "Pa komplekse me Elionin", në bashkëpunim me DritareTV, Kozeta Mamaqi ka ndarë dhimbjen e saj për humbjen e të birit, Sokol Olldashi, në nëntor të 2013-ës, duke sjellë kujtime që mbeten të gjalla dhe të pamundura për t’u harruar.
Ajo kujton momentin e fundit me të birin si një plagë që nuk mbyllet kurrë. “Ishte e tmerrshme. E përcolla te dera atë ditë. Më dha atë të puthurën e zakonshme në ballë. Edhe iku dhe s’erdhi më”, rrëfen ajo, duke shtuar se edhe sot e ka të vështirë ta pranojë realitetin. “Unë nuk mund ta besoj edhe sot. Si ka mundësi? Si ka mundësi? Ishte ora 6 e pasdites kur iku. Ishte një tmerr”
Humbja e tij e goditi aq fort, sa për një kohë të gjatë ajo u tërhoq plotësisht nga jeta sociale. “Nuk dola dy vjet e gjysmë nga pragu i shtëpisë. Më është tharë shpirti. Nuk kam më motiv.”, shprehet Mamaqi, duke treguar boshllëkun e madh që la pas kjo tragjedi.
Në kujtimet e saj, Sokol Olldashi mbetet një shpirt i ndjeshëm dhe i thellë. Ajo e përshkruan si një njeri që prekej lehtë dhe që kishte një botë të pasur shpirtërore. “Ky ishte shpirti i Kolit. Qante me ngashërim kur i lexoja. Ishte shpirt shumë delikat”, thotë ajo. Sipas saj, ai ishte i apasionuar pas letërsisë dhe artit: “Koli lexonte shumë, përkthente, i donte poetët, i donte këngëtarët… ishte shumë i ndjeshëm.”
Megjithë dhimbjen që mbart, dashuria e një nëne mbetet e përjetshme dhe e pakushtëzuar. Nëse do të kishte një moment për t’i thënë diçka të birit, fjalët e saj janë të thjeshta, por të mbushura me ndjenjë: “Do t’i thosha: shpirt, të dua shumë, të dua pafund.”/dritare.net