Na ndiqni edhe në

Shqip

Nga Lini në Boston, një inxhinier shqiptar në Apple!

Nga Lini në Boston, një inxhinier shqiptar në Apple!

Në një intervistë në emisionin “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, inxhinieri shqiptar Sokol Lushllari ndau historinë e tij të emigrimit, arsimimit dhe angazhimit komunitar në SHBA, duke sjellë një rrëfim që lidh përvojën personale me sfidat e diasporës shqiptare.

Nga Lin i Pogradecit drejt Amerikës

Lushllari, me origjinë nga Lin i Pogradecit, tregoi se rruga e tij drejt SHBA-së nuk ishte e drejtpërdrejtë. Fillimisht kishte fituar bursë për studime në Ankara, por më pas iu hap mundësia për të emigruar në Amerikë në vitin 2007.

“U nisa për Shtetet e Bashkuara në 18 nëntor 2007,” tha ai, duke kujtuar fillimet e vështira si emigrant i ri.

Në vitet e para në SHBA, ai punoi në një kafene për të përballuar jetesën, ndërsa paralelisht synonte studimet. “Kam punuar natën nga ora 12 deri në 7-8 të mëngjesit, dhe pastaj vazhdoja shkollën,” u shpreh ai.

Rëndësia e shkollës dhe integrimi në SHBA

Lushllari theksoi se arsimi ishte pika e kthesës në jetën e tij.

“Shkolla të lartëson, të jep mundësi jo vetëm për veten, por edhe për familjen,” tha ai, duke e cilësuar studimin si bazën e suksesit të tij profesional.

Ai përfundoi bachelorin në vitin 2013 dhe më pas nisi karrierën në fushën e inxhinierisë elektronike, duke u specializuar në teknologjitë e frekuencave të larta.

Karriera në Apple dhe teknologjia e iPhone

Sot, Lushllari punon në kompaninë Apple, ku është i angazhuar në projektimin e komponentëve të brendshëm të iPhone.

“Unë punoj në pjesën e brendshme të iPhone-it, në dizajnin e hardware-it dhe çipave që integrohen në motherboard,” shpjegoi ai.

Ai shtoi se pas çdo pajisjeje qëndron një punë e madhe inxhinierësh dhe zhvillim i vazhdueshëm teknologjik.

Aktivizimi në diasporë dhe organizata “Besa”

Përveç karrierës profesionale, Lushllari është edhe drejtues në organizatën shqiptaro-amerikane Besa (Massachusetts Albanian American Society) në Boston, ku kontribuon në mënyrë vullnetare.

Organizata, sipas tij, ka rreth 120 anëtarë dhe mbi 30 biznese mbështetëse, dhe organizon aktivitete kulturore, festive dhe edukative për komunitetin shqiptar në SHBA.

“Ne krijojmë platforma ku shqiptarët mblidhen, festojnë dhe diskutojnë çështje të rëndësishme për komunitetin,” tha ai.

Një nga projektet më të rëndësishme është edhe shkolla shqipe në Boston, me 70 nxënës dhe 12 mësues në tre qendra të ndryshme.

Kritika për Samitin e Diasporës

Gjatë intervistës, Lushllari dha edhe disa vërejtje për organizimin e Samitit të Diasporës, duke theksuar nevojën për më shumë përfshirje reale të diasporës në diskutime.

“Nëse tema është diaspora, duhet të dëgjohet diaspora,” u shpreh ai, duke shtuar se pjesëmarrja në disa panele ishte e kufizuar dhe jo gjithmonë përfaqësuese.

Ai propozoi që në të ardhmen të përfshihen më shumë profesionistë shqiptarë nga diaspora me përvojë konkrete në biznes dhe teknologji.

Mes Amerikës dhe Shqipërisë

Duke folur për lidhjen me atdheun, Lushllari tha se kthimi në Shqipëri mbetet gjithmonë emocional.

“Kur vij këtu karikohem nga motivimi i të rinjve,” u shpreh ai, duke vlerësuar profesionalizmin dhe energjinë e brezit të ri në Tiranë.

Në fund, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes diasporës dhe institucioneve shqiptare, sidomos në arsimimin e gjuhës shqipe dhe forcimin e identitetit kulturor./K.C/dritare.net