Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Spahiu: Nëse Berisha rri kryetar i opozitës edhe 10 vjet, Rama merr edhe tri mandate!

Spahiu: Nëse Berisha rri kryetar i opozitës edhe 10 vjet, Rama merr

Nëse Berisha qëndron kryetar i opozitës edhe 10 vjet, Rama merr edhe tri mandate, deri në 2033-shin! Kështu tha juristi Kreshnik Spahiu në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV ndërsa po fliste për vulën e PD-së. Spahiu u shpreh se Rama do që logon ta ketë Berisha, ndërsa Uashingtoni do të investohet në një PD të re, me liderë të rinj.


“Ka një përplasje të interesave të Uashingtonit dhe Edi Ramës për çështjen e vulës së PD-së. Edi Ramës i intereson një kundërshtar politik që të ketë emrin Sali Berisha. Nëse Berisha qëndron kryetar i opozitës edhe 10 vjet, është garanci që Rama të marrë edhe tri mandate, deri në 2033-shin. SHBA-ja nuk dëshiron që vulën dhe logon t’ia lënë Sali Berishës. Duan të investohet në një Parti Demokratike të re, me liderë të rinj politik, të paimplikuar dhe të palidhur me Sali Berishën dhe grupin e tij. Në momentin që Ambasada Amerikane dhe përfaqësuesit amerikanë kanë qenë në gjykatë, Gjykata ka prishur vendimin e Ardian Zhukrit dhe ka favorizuar Lulzim Bashën. Në momentin që Yuri Kim u largua, prezenca diplomatike amerikanë në politikën shqiptare u zbeh sepse kështu është procedura diplomatike. Mendoj që aty ku Rama pati njerëzit e tij në Gjykatën e Lartë, u mor një vendim pro Berishës. Po të jetë për Ramën ai do zgjidhte që vula ose të mos i jepet asnjërit, ose Sali Berishës. Amerikanët duan që vula mos i jepet Sali Berishës sepse e shikojnë PD-në si një aset kombëtar jo si një pronë të një individi. Ata konsiderojnë që kanë investuar te PD-ja pas përmbysjes së komunizmit, në ngritjen e kësaj partie, organizimit të saj etj. E shikojnë dhe si një investim për të forcuar pluralizmin politik dhe nuk mund ta kenë që një individ të dëmtojë gjithë rregullat e demokracisë dhe pluralizmit politik. Me këtë kanë argumentuar edhe shpalljen non-grata të Berishës.”, tha Spahiu në DritareTV./K.C/dritare.net