SPAK dhe Antimafia e Barit godasin grupin e pastrimit të parave, 10 masa “arrest me burg”
Dritare.net

Një operacion i përbashkët i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Antimafias së Barit ka çuar në goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për aktivitet në fushën e pastrimit të parave. Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit dhe rezultoi me lëshimin e 14 masave të sigurisë.
Sipas të dhënave, 10 prej masave janë “arrest me burg”, ku 6 janë ekzekutuar në Itali dhe 4 në Shqipëri. Gjithashtu është vendosur 1 masë “arrest shtëpie” dhe 3 masa “detyrim paraqitje”.
Mes personave të përfshirë në hetim është edhe Igli Kamberi, i dyshuar si kreu i grupit kriminal. Atij i është komunikuar në Itali masa “arrest me burg”, ndërsa ndodhet tashmë i arrestuar që prej korrikut 2025. Kamberi akuzohet ndër të tjera për përfshirje në vrasjen e 26-vjeçarit Francesco Diviesti në Barletta të Italisë.
Sipas hetimeve italiane, Diviesti u zhduk më 25 prill 2025 dhe u gjet i vdekur katër ditë më vonë. Trupi i tij, i gjysmë i djegur dhe me plagë nga arma e zjarrit, u zbulua në një zonë rurale mes Canosa di Puglia dhe Minervino Murge. Hetimet mbi këtë ngjarje dyshohet se çuan në zbulimin e rrjetit kriminal dhe aktivitetit të pastrimit të parave.
Autoritetet dyshojnë se paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale transportoheshin nga Italia drejt Shqipërisë me mjete të ndryshme. Në vitin 2024, në pikën kufitare të Muriqanit, u sekuestruan mbi 680 mijë euro që dyshohet se i përkisnin këtij grupi, ndërsa po tentohej futja e tyre në territorin shqiptar me automjet.
Në Shqipëri janë arrestuar Ergys Kastrati, i njohur me nofkën “Bishja”, i shpallur prej dy vitesh në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, bashkëshortja e tij Desmira Ceco, si dhe dy persona të dyshuar si transportues të parave. Sipas informacioneve, Kastrati u arrestua në një vilë pranë zonës së TEG-ut.
Po ashtu, Kamberi dyshohet edhe për posedimin e 24 kilogramëve kokainë në Barletta. Autoritetet shqiptare dhe italiane vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të grupit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë./L.F-dritare.net