Na ndiqni edhe në

Opinione

Një Vit pa Lamen!

Një Vit pa Lamen!

Nga Auron Tare

Nje ender ne Metropolitan Muzeum
(shkrim i vitit 2022)

Diku nga viti xxx, Artan Lame hapi një ekspozitë në Tiranë me uniformat e ushtrisë shqiptare. Ishte një panoramë 100-vjeçare e lloj lloj xhaketash, rrypash, çizmesh dhe dyfeqesh që shqiptarët e pavarur kishin veshur dhe mbajtur nga 1912-ta e tehu.

Mjaftonte të sodisje rrobat qe kishte mbledhur Lame për të kuptuar se kujt i kishim rënë në prehrin e ndikimit herë turqve te rinj, herë austriakëve, më pas italianëve e mandej sovjetikëve e kinezëve. Shqiptari, edhe kur shpalli pavarësinë, rrallëherë guxonte të vishej me petkun e vet.
Vetëm koha e Zogut u përpoq t’i japë uniformës një farë hijeshie shtetërore perfundois ashtu si Ataturku tha me te qeshur 'Opereta e Tiranes".

Më pas erdhi komunizmi, i cili e nisi me pompozitet orientalo-sovjetik, doreza të bardha e shpata parade dhe e përfundoi me ato rreckat kineze që të kujtonin më shumë rojtarët e ndonjë magazine drithi sesa ushtrinë e një kombi.

Në akademinë ushtarake ku studioja, qarkullonte një rrëfenjë që e përsërisnin me gjysmë zëri instruktorët e vjetër, kur Mareshali Zhukov pa ushtrinë shqiptare me 1958 ne se nuk gaboj të veshur si kopje të zbehta të rusëve, i paskësh thënë Enverit - “Shqiptarëve u duhet uniforma e tyre kombëtare, jo rrobat tona.” Nuk di nëse fjalia është autentike, por, si shumë të pavërteta të bukura në Ballkan, ajo mbetet më e besueshme se vetë e vërteta.

Mjerisht, pas asaj kohe punët vajtën edhe më keq edhe pse me gjithe veshtiresite e kohes ishin nja dy punishte ushtarake qe ende qepnin kapota ushtaresh. Por me mbritjen e kinezeve dhe heqjen e gradave Ushtria jonë kombëtare u katandis në një formacion pa identite. Me renien e komunizmit si kudo edhe ushtria perfundoi ne nje gjendje te mjere ku secili repart mbante mbi supe mëshirën e ndonjë magazine të NATO-s. Mjaftonte të shihje kamuflazhin për të kuptuar nga cili depo vinte lëmosha, një pantallona belge, jeleke turk, xhaketa amerikane e keshtu me rradhe sikur Shqipëria të mos ishte shtet, por panair tekstilesh ushtarake të përdorura.

Në ato vite kur kishim kohe te flisnim per gjera te medha por pak kishim ne dore Artan Lame ushqente një ëndërr fisnike, të krijonte një uniformë të mirëfilltë shqiptare, të paktën për Gardën Kombëtare. Flisnim gjatë për këtë punë, me atë lloj pasioni që kanë vetëm njerëzit e dënuar të dashurojne te kaluaren. Kishte skica, ide, krahasime me uniformat e kombeve të tjera. Por si shumë ëndrra shqiptare, ajo mbeti në letër kur Lamja vendosi te merej me hallet e shqiptareve dhe shteti qe i sherbeu ti vinte sterkembsha per Muzeun qe kishte nder mendje.

Këtë javë, ndërsa endesha në sallat e Muzeumit Metropolitan të New York-ut, më ndalën këmbët përpara një tabloje të piktorit romantik John Frederick Lewis. Piktura paraqiste një djalosh të veshur me kostumin kombëtar shqiptar, ulur me një lloj krenarie të qetë orientale në një sallon egjiptian. Pranë tij qëndronte një shërbëtor nubian. Shenimi thoshte se djaloshi ishte Iskander Beu, i biri i Sulejman Pashë al-Fransavit, një figurë e rëndësishme e Egjiptit të Muhamed Aliut.
Ky Sulejman Pasha, emri i vërtetë i të cilit ishte Joseph Sève, kishte qenë francez, ushtarak i Napoleonit, Kolonel ne "Grande Armée-së se Orientit", pjesëmarrës në epope të mëdha që nga Trafalgari e deri te Waterloo. Pas rënies së Bonapartit, ai u hodh në Egjipt dhe hyri në shërbim të Muhamed Aliut.

Pashai shqiptar i cili po krijonte te parin shtet modern te Egjyptit i dha detyre organizimin ieushtrisë egjiptiane.

Dhe ç’bëri francezi?

Nuk veshi egjiptianët me uniforma pariziane. As me kopje osmane. Zgjodhi veshjen e shqiptarëve.
Sepse shqiptari i asaj kohe kishte dy gjëra që Evropa dhe Orienti i admironin njësoj, egërsinë në luftë dhe madhështinë në paraqitje. Fustanella, jeleku, armët e stolisura me argjend, brezi dhe qëndrimi krenar krijonin një pamje që ishte njëherësh estetike dhe kërcënuese. Ishte bukuria që mban pushkë.

Kështu, për më shumë se një shekull, ushtria egjiptiane mbajti si simbol të vetin një uniformë të frymëzuar nga kostumi shqiptar. Me ato petka egjiptianët dhe oficeret shqiptare qe i drejtonin pushtuan Sudanin, ndaluan Wabistet te mernin Egjiptin si dhe kercenuan seriozisht fronin e Osmaneve. Ata luftuan nga Krimeja e deri në Meksikë ku ushtria e Mohamed Aliut drejtuar nga oficere shqiptare mbeshteti Maximilianin e Habsbourgeve.

Kurioz për këtë histori të jashtëzakonshme, gërmova pak më tej dhe ajo që mësova ishte se në fakt kjo uniforme kishte qene një veçori dalluese e ushtrisë egjiptiane për mbi 100 vite. E treguar kjo edhe nga europianë të tjerë, si pikturat e hungarezit Arthur von Ferraris, nxënës i Leon Zheromit të famshëm, i cili në disa tablo të tija në mesin e 1800-ës ka kapur ende ushtarë në rrugët e Kajros të veshur me uniformën e modeluar nga koloneli francez.

Repartet egjiptaine që luftuan në Luftën e Krimesë kanë po ashtu të veshura uniformën e frymëzuar nga rrobat kombëtare shqiptare, tipar ky që lidhej jo vetëm më dinastinë shqiptare të Egjiptit, por me domethënien e madhe që kishte ajo uniformë si tipar dallues i luftëtarëve të famshëm shqiptarë.

Dhe ja ku qëndron ironia shqiptare, atë që bota e admiroi si simbol force dhe elegance, ne vetë e flakëm me përçmim provincial. Lord Bajroni vishej me kostumin shqiptar për të hyrë krenar në sallonet aristokratike të Evropës, muzeumet më të mëdha të botës i ruajnë sot ato veshje si kryevepra artizanale; ndërsa ne nuk gjetëm as dëshirën, as fantazinë për t’i dhënë Gardës sonë Kombëtare një hijeshi që do ta bënte të dallueshme mes kombeve.

Ndoshta, një ditë, kur Artan Lame do ta hapë muzeun që ka ëndërruar prej kohësh, atje, mes hartave, armëve dhe relikeve të këtij vendi që nuk di të ruajë asgjë veç kujtimeve të humbura, do të vendosë edhe dy kukulla me uniformën shqiptare që kurrë nuk u bë realitet. Të paktën në muze, ëndrrat shqiptare plaken me dinjitet.
shpjegim
1. Artan Lame ne zbor me uniforme model kinez. fundi i 1980s
2. Auron Tare dhe Isa Tare "Shkolla Skenderbej" 1984 3. Tablo e Iskander Beut i biri i Kolonelit Francez Seve, pikturuar nga John Frederick Lewis ne Kajro.
4. Arthur von Ferraris ( piktor hungares) nje ushtar i Mohamed Aliut ne Kajro 1859
3/4. Uniforma Kombetare e ushtrise Egjyptiane ( Muzeumi i Marsejes France) e kerkuar nga Muhamed Aliu dhe e kompozuar nga Sulayman Pasha al-Faransawi ( Kolonel Seve)