Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tabaku kërkoi votat për minatorët. Reagon deputeti Klevis Jahaj: Jo populizëm, por gjithpërfshirje

Tabaku kërkoi votat për minatorët. Reagon deputeti Klevis Jahaj:

Naftëtarët e Mallakastrës i janë bashkuar grupeve të interesit që kërkojnë ndryshimin e ligjit nr.29 të viti 2019, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë rreth shtatë vite më parë, si nevojë e kohës për trajtimin financiar e suplementar të minatorëve, naftëtarëve dhe atyre që kanë punuar në naftë e metalurgji.

Dje, Jorida Tabaku kërkoi votat e deputetëve për projektligjin për "Statusin e minatorit", duke kërkuar nga qeveria dhe ligjvënësit më shumë mbrojtje në punë dhe trajtim me pension suplementar më të lartë për punonjësit e nëntokës.

Këto lëvizje kanë nxitur edhe naftëtarët e Mallakastrës, të cilët kërkojnë që edhe ligji i miratuar shtatë vite më parë për trajtimin e tyre, pas mbylljes së rafinerisë së vetme në Shqipëri, që ligji nr.29 të viti 2019 të ndryshojë dhe t'i përshtatet kohës.

Përmes të zgjedhurit të tyre në Kuvend, deputetit socialist Klevis Jahaj, ata thonë se koha dhe realiteti ka ndryshuar dhe ashtu duhet të ndryshojë edhe ligji, sepse sot jetojmë në një realitet tjetër social dhe ekonomik, i cili ndryshon shumë nga ai i 2019-ës.

"Nga takimet që kam zhvilluar në Mallakastër, naftëtarët kanë shprehur kërkesat dhe pritshmëritë e tyre në raport me përfitimet që marrin sot, me miratimin e ligjit nr.29/2019. Një ligj që erdhi pikërisht si përgjigje ndaj kërkesave të asaj kohe për kategori me rrezikshmëri të lartë në punë.

Ky ligj ishte një hap përpara, një akt përgjegjësie sociale, një përpjekje për të vendosur një standard më të drejtë për trajtimin financiar suplementar për këto kategorie. Por ligjet, ashtu si shoqëria, zhvillohen dhe përshtaten me kohën, nevoja ndryshon, realiteti ekonomik dhe social ndryshon", u shpreh ai.

Deputeti Klevis Jahaj theksoi nga foltorja e Kuvendit se, socialistët nuk janë kundër propozimit për "Statusin e Minatorit", por kërkojnë një zgjidhje të drejtë për të gjitha kategoritë e punonjësve të nëntokës, në të cilën përfshihen minatorët, naftëtarët dhe punonjësit e gazit e të metalurgjisë.

"Si deputet i Mallakastrës, unë nuk jam këtu për të thënë "JO" ndaj statusit të minatorëve, por jam këtu për të thënë "PO" ndaj një zgjidhje të drejtë për të gjithë. "PO" ndaj një rishikimi të përgjegjshëm dhe të matur të ligjit nr.29/2019", përmbylli deputeti i Mallakastrës./dritare.net