Trump mban fjalimin më të gjatë në historinë e SHBA-ve: Ja pikat kryesore!
Dritare.net

Presidenti amerikan Donald Trump mbajti një fjalim rekord në Kongres, që zgjati rreth 1 orë e 48 minuta, duke u bërë fjalimi më i gjatë në historinë e SHBA-ve në këtë format.
Në fjalim ai trajtoi ekonominë, sigurinë, tregtinë dhe politikën e jashtme, duke theksuar arritjet e administratës së tij dhe prioritetet për të ardhmen.
Trump vlerësoi operacionet kundër trafikut të drogës në Amerikën Latine dhe përmendi kapjen e liderit venezuelian Nicolas Maduro, duke e cilësuar fundin e sundimit të tij si përfundim të një “diktatori të jashtëligjshëm”.
Në planin ekonomik, presidenti u ndal te politikat e tarifave tregtare. Vendimi i Gjykatës së Lartë që rrëzoi një pjesë të tarifave globale krijoi pasiguri te partnerët tregtarë, ndërsa Trump paralajmëroi norma të reja, duke lënë ende të paqartë drejtimin e marrëveshjeve me BE-në, Indinë dhe vende të tjera.
Sa i përket politikës së jashtme, Trump nuk dha një qëndrim të qartë për një sulm të mundshëm ushtarak ndaj Iranit. Ai tha se preferon zgjidhjen diplomatike, por paralajmëroi se SHBA nuk do ta lejojë kurrë Iranin të zhvillojë armë bërthamore, duke lënë të hapur skenarët nëse negociatat dështojnë.
Në thelb fjalimi rekord i Trump u fokusua te siguria, ekonomia dhe tensionet ndërkombëtare, ndërsa shumë çështje sidomos tarifat dhe Irani mbeten të paqarta për partnerët dhe ligjvënësit./dritare.net