Tre shqiptarë dhe një zemër fëmije në Itali!
Dritare.net

“Sapo dola nga turni i natës… koordinova në disa eksplante organesh gjithë natën. Eksplanti i fundit zemra e një fëmije. Ishim tre shqiptarë: kardiokirurgu, unë (koordinatori) dhe shoferi i ambulancës…”
Ky ishte mesazhi i një shqiptari që e kemi intervistuar më parë në Dritare.

Mesazhi vinte nga Italia.
E lexon dhe mendon për një sistem të madh, të organizuar, të ftohtë në disiplinën e vet profesionale.
Dhe në mes të asaj nate, tre shqiptarë që mbajnë në duar minutat e fundit të një jete dhe shpresën për një tjetër.

Çfarë ndjen kur e lexon një mesazh të tillë?
Së pari, një therje në kraharor. Sepse fjala “zemra e një fëmije” nuk kalon kurrë pa lënë gjurmë.
Pastaj vjen krenaria. Një krenari jo folklorike.
Krenaria për njerëzit tanë që nuk bëjnë zhurmë, por bëjnë punë që shpëton jetë.
Dhe ne e pyesim veten:
Pse na i shkruajnë këto mesazhe në Dritare?
Sepse ndoshta prej vitesh kemi thënë një gjë të thjeshtë:
Kudo je ti, ka Shqipëri!
Ndoshta sepse “Dritare” nuk ka qenë vetëm një studio, por një hapësirë ku shqiptarët jashtë nuk janë ndjerë të largët, por pjesë.
Ndoshta sepse kemi folur për diasporën jo si statistikë, por si forcë.
Ndoshta sepse kemi thënë se flamuri nuk është vetëm në stadium, por në sallë operacioni, në laborator, në bankë, në universitet.
Fakti ynë është kuq e zi.
Jo si simbol për fotografi, por si identitet pune, përkushtimi, profesionalizmi.
Kur tre shqiptarë në një aeroport italian transportojnë një zemër që do të shpëtojë një jetë, aty është Shqipëria.
Dhe ndoshta për këtë na shkruajnë.
Sepse e dinë që në Dritare do ta kuptojmë emocionin.
Sepse e dinë që në Dritare do ta quajmë krenari pa e tepruar.
Sepse e dinë që për “Dritaren”, suksesi i një shqiptari jashtë , është zgjerim i hartës sonë.
Shqipëria nuk mbaron në kufi. Ajo udhëton me profesionistët e saj.
Me mjekët, me inxhinierët, me shoferët e ambulancës që në heshtje bëhen hallkë e një mrekullie.
Dhe kur na vjen një mesazh i tillë, ne nuk ndihemi thjesht te informuar.
Ndihem përgjegjës ta them me zë te lartë: Ne, shqiptaret dimë. Ne bëjmë. Ne shpëtojmë jetë. Kudo jemi./ dritare.net.