Trump paralajmëron veprime të mundshme ndaj Kolumbisë dhe Meksikës pas goditjes në Venezuelë
Dritare.net

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se veprimet ushtarake amerikane mund të shtrihen edhe në Kolumbi, pas sulmit të fundit të SHBA-së në Venezuelë dhe kapjes së presidentit Nicolás Maduro. Deklaratat Trump i bëri për gazetarët në bordin e Air Force One, gjatë kthimit nga Florida drejt Shtëpisë së Bardhë.
“Kolumbia u drejtua nga një njeri i sëmurë që pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë në Shtetet e Bashkuara, dhe kjo nuk do të vazhdojë për shumë gjatë,” u shpreh Trump.
Ai shtoi se SHBA synon të ketë vende fqinje “të qëndrueshme dhe të suksesshme”, duke theksuar edhe interesin për prodhimin e lirë të naftës. “Kur nafta del lirshëm në treg, çmimet bien. Kjo është mirë për vendin tonë,” tha Trump.
I pyetur nga një gazetar nëse komentet e tij nënkuptonin një “operacion” të mundshëm në Kolumbi në të ardhmen, presidenti amerikan u përgjigj: “Më duket ide e mirë.”
Trump foli gjithashtu edhe për Meksikën, duke deklaruar se autoritetet meksikane duhet të veprojnë më fort kundër trafikut të drogës. “Meksika duhet të rregullojë punët e saj, sepse droga po kalon përmes Meksikës dhe ne do të duhet të bëjmë diçka,” tha ai.
Presidenti amerikan zbuloi se i ka ofruar disa herë ndihmën e trupave amerikane presidentes së Meksikës, Claudia Sheinbaum, por sipas tij, ajo ka shprehur hezitim.
Ndërkohë, Trump përsëriti edhe deklaratat e bëra gjatë fundjavës lidhur me Kubën, duke thënë se regjimi atje do të rrëzohet pa nevojën e ndërhyrjes amerikane. “Mendoj se thjesht do të bjerë. Nuk mendoj se nevojitet ndonjë veprim,” u shpreh ai./L.F-dritare.net