Vlora pa ujë, qytetarët mbushin bidonat në det
Dritare.net

Prej katër ditësh, qyteti i Vlorës vijon të përballet me mungesë totale të furnizimit me ujë të pijshëm, si pasojë e një defekti të rëndë në linjën kryesore të ujësjellësit.
Mijëra familje kanë mbetur pa ujë, ndërsa situata është përkeqësuar duke detyruar qytetarët të gjejnë mënyra të improvizuara për të siguruar ujin e nevojshëm për nevoja bazë. Që në orët e para të mëngjesit, disa banorë janë parë duke mbushur bidona me ujë deti, ndërsa të tjerë i janë drejtuar burimeve natyrore të qytetit, duke përdorur mjete primitive.
Ujësjellësi i Vlorës ka kryer ndërhyrje të vazhdueshme gjatë tre ditëve të fundit për riparimin e defektit, por sipas burimeve zyrtare, presioni i lartë në linjën kryesore ka shkaktuar çarje të reja në pjesët e salduara, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit normal me ujë.
Edhe përpjekjet e fundit të kryera gjatë mbrëmjes së kaluar kanë dështuar, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë një afat konkret për zgjidhjen përfundimtare të problemit. Ndërkohë, pakënaqësia e qytetarëve vijon të rritet, në një situatë që po kthehet në emergjencë për qytetin bregdetar./l.f-dritare/net