Zbardhen përgjimet. Ja dosja e Ballukut në SPAK
Dritare.net

Është zbardhur një pjesë e dosjes së Belinda Ballukut për shkeljet me procedurën e tenderit të Llogarasë me fond limit 190 mln euro, në të cilën zbulohen edhe bisedat mes ministres me ish-kreun e ARRSH, Evis Berberi, i cili që prej fillimit të procedurave dhjetorin e 2020-s ishte caktuar anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Mesazhet mes tyre, të zbuluara nga një telefon “Blackberry” të sekuestruar Berberit, janë zhvilluar gjatë kohës kur ishte hapur tenderi i parë për tunelin e Llogarasë dhe kompania Gjoka Konstruktion kishte dhënë ofertën më të ulët prej 140 mln euro. Mesazhet, janë shkëmbyer në aplikacionin Signal, i cili preferohet për shkak se është i papërgjueshëm, por ato u zbuluan pasi Berberi i kishte ruajtur komunikimet.
Dosja e Ballukut NË SPAK
Si u ndryshuan kriteret e tenderit për të favorizuar “Gjoka Construction” në tunelin e Llogarasë
Një dosje voluminoze e SPAK ka zbuluar komunikime dhe dokumente që tregojnë mënyrën se si tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u orientua për të favorizuar kompaninë “Gjoka Construction”, pavarësisht se kjo kompani nuk i plotësonte kriteret ligjore të përvojës dhe kapacitetit financiar.
Kompania që s’duhej të fitonte
Sipas dokumenteve të SPAK, ligji parashikonte që kompania fituese të kishte të paktën 5 vite eksperiencë dhe të kishte ndërtuar një tunel me vlerë 70% të fondit limit.
Por “Gjoka Construction” nuk i kishte këto kritere.
Në vend që të skualifikohej, kriteret u ndryshuan.
Ndryshimet që favorizuan një kompani të vetme
Hetimi tregon se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nën drejtimin e Belinda Ballukut, ka ndryshuar disa pika kyçe të dokumentacionit të tenderit:
• Fitimi financiar: nga 50 milionë euro në 20 milionë euro.
• Vlera e punëve të ngjashme: nga 70% e fondit limit, u ul në 50%.
• Eksperienca në ndërtim tunelesh: nga 5 vite, u bë vetëm 3 vite.
Sipas SPAK, ndryshimi i dy kritereve të para dukej sikur zgjeronte konkurrencën, por ndryshimi i tretë – ulja e eksperiencës në 3 vite – ishte vendimtar, pasi përshtatej vetëm me “Gjoka Construction”.
Mesazhet e Ballukut dhe vartësve të saj
Në dosjen e SPAK gjenden komunikime të detajuara midis ministres Belinda Balluku dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi.
Përmes aplikacionit Signal, Balluku pyet qartë për ndryshimet:
“Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperiencën e objekteve të ngjashme nga 5 vite në 3???”
Berberi i përgjigjet:
“Kërkoi Pellumbi të jetë 3 nga 5 vitet e fundit.”
Balluku replikon:
“Po ç’ne? Kush e bëri kërkesën e KPP?”
SPAK e interpreton këtë si njohuri dhe aprovimin e drejtpërdrejtë të ministres për ndryshimet që devijonin nga ligji.
Takimet sekrete për kriteret
Në dosje janë përfshirë edhe biseda mes Evis Berberit dhe Arta Gurabardhit, ku planifikohen takime më 31 dhjetor 2020 dhe 5 janar 2021 me një person të identifikuar si “Pellumb”.
Tema e takimeve: ndryshimi i kritereve të eksperiencës.
SPAK citon komunikimin mes tyre në Signal, ku diskutohet për “atë çështjen e eksperiencës së mëparshme” dhe për “ta thërrasim Pellumbin edhe njëherë për sqarim”.
Sipas hetuesve, këto takime ishin pjesë e një procesi të koordinuar për të justifikuar ndryshimet që më pas u miratuan zyrtarisht.
Shtyrja e tenderit, për t’u përgatitur fituesi
Fillimisht, hapja e ofertave ishte planifikuar për 12 shkurt 2021, por pak ditë para afatit, Ministria vendosi ta shtyjë në 12 mars 2021.
SPAK vëren se kjo shtyrje përkonte në kohë me ndryshimet e kritereve, duke i dhënë mundësi kompanisë së favorizuar të përshtaste dokumentacionin e saj sipas rregullave të reja.
SPAK: “Ndryshimet ishin të qëllimshme”
Në përfundimet paraprake, SPAK shkruan se:
“Ndryshimet e bëra në dokumentet e tenderit të tunelit të Llogarasë nuk ishin të rastësishme, por të koordinuara dhe me qëllim favorizimin e një subjekti të vetëm ekonomik.”
Në dosje përmenden si persona të përfshirë:
• Belinda Balluku – Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
• Evis Berberi – ish-drejtor i ARRSH
• Arta Gurabardhi – zyrtare e lartë në ministri
• “Pellumbi” – person që ka ndikuar në kriteret teknike
Dosja e SPAK për tunelin e Llogarasë zbardh një skemë të mundshme favorizimi të qëllimshëm dhe shkeljeje të barazisë në tendera, përmes ndryshimeve të koordinuara në dokumentacionin teknik dhe financiar.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa pritet që SPAK të vendosë për dërgimin e çështjes në gjykatë dhe ngritjen zyrtare të akuzave./L.F-dritare.net