Zhvillimet e fundit nga konflikti në Lindjen e Mesme!
Dritare.net
Ligjvënësit amerikanë kanë votuar kundër një mase për fuqitë e luftës që do të kufizonte aftësinë e presidentit Donald Trump për të urdhëruar veprime të mëtejshme ushtarake ndaj Iranit. Masa parashikonte tërheqjen e forcave amerikane nga konflikti, përveç rasteve kur operacionet do të miratoheshin nga Kongresi.
Projektligji nuk arriti të kalojë në Senatin e SHBA-së, duke marrë 47 vota pro dhe 53 kundër, kryesisht sipas vijave partiake. Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë për të njëjtën çështje ditën e nesërme.
Ndërkohë, situata në rajon mbetet e tensionuar. Ushtria izraelite njoftoi se Irani lëshoi disa raketa drejt Izraelit në orët e para të së enjtes, por deri tani nuk ka raportime për viktima.
Në Liban, tre persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur pas dy sulmeve ajrore izraelite pranë kryeqytetit Bejrut. Sipas mediave libaneze, sulmet u kryen në rrugën që çon drejt Aeroportit Ndërkombëtar Bejrut–Rafik Hariri, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë së Libanit.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) paralajmëron se përshkallëzimi i dhunës ka shkaktuar tashmë lëvizje të mëdha të popullsisë. Rreth 100 mijë njerëz janë larguar nga Teherani në dy ditët e para pas sulmeve amerikano-izraelite. Në Liban, rreth 58 mijë persona po strehohen në qendra kolektive, ndërsa autoritetet libaneze thonë se numri mund të jetë mbi 80 mijë.
Nga ana tjetër, ushtria amerikane ka konfirmuar emrin e ushtarit të pestë amerikan të vrarë në një sulm me dron iranian në Kuvajt në ditët e para të konfliktit, si dhe identitetin e mundshëm të ushtarit të gjashtë që humbi jetën në të njëjtin sulm.
Tensionet kanë ndikuar edhe në trafikun detar dhe ajror. Kreu i Organizatës Ndërkombëtare Detare të OKB-së deklaroi për BBC se rreth 20 mijë detarë janë bllokuar për shkak të situatës në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, një fluturim i marrë me qira nga qeveria britanike për të evakuuar qytetarët nga Omani nuk u nis siç ishte planifikuar për shkak të një problemi teknik. Qatar Airways ka njoftuar se do të organizojë fluturime të tjera ndihme nga Lindja e Mesme drejt disa qyteteve evropiane.
Autoritetet në Katar kanë nisur evakuimin e banorëve që jetojnë pranë Ambasadës Amerikane në Doha si masë paraprake, pas sulmeve me dronë që këtë javë goditën ambasadat amerikane në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe konsullatën amerikane në Dubai.
Ndërkohë, një anije cisternë pranë brigjeve të Kuvajtit është goditur nga një “shpërthim i madh”, duke shkaktuar edhe një derdhje nafte në det, sipas agjencisë britanike të sigurisë detare UKMTO./BBC