Na ndiqni edhe në

Opinione

BE në Kosovë e ka humbur fillin!

BE në Kosovë e ka humbur fillin!

Nga Prof.As.Dr.MSc. Artan Xh. Duka

Ndërmjetësimi në qorrsokak i BE

BE ka kaq vite që ndërmjetëson mes Kosovës e Serbisë por ngjarja terroriste në Banjë (emërtimi historik) dhe deklaratat e Serbisë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën, dëshmuan se me apo pa dashje, është harxhuar kohë e vyer plot.

Tryeza e stërzgjatur e bisedimeve kaotike ka prishur baraspeshat e cenuar të drejtën historike duke provokuar agoni pafund për paqen në rajon. Sot ka plot pikëpyetje rreth ndërmjetësimit të BE në rajon. Nga premisat, parimet, prioritetet, përmbajtja, formati e deri qëllimi përfundimtar që është njohja e Kosovës nga Serbia si shtet!

Me sa duket, BE po e humb pusullën e saj në rajon dhe sërish, njëlloj si me përballjen e gjenocidit serb, çlirimin e Kosovës, njohjet e shtetndërtimin e saj, roli vendimtar i mbetet SHBA.

Tryezë për kompromis apo kapitullim!

Bisedimet pasuan një luftë me të mundur e fitues në rajon. Përtej çdo sedre folkoristike sërbe, ato sesa bisedime kompromisi duhet të ishin bisedime kapitullimi ku nëse vihen kushte, i vë fituesi (Kosova e Perëndimi).

Ndodhi edhe pas luftës së dytë në Europë dhe BE është ai oaz paqe që është sepse u nda qartë fituesi nga i humburi, viktima nga agresori, u bë drejtësi si duhet, u kërkua ndjesë historike, u kompensuan palët etj.

Ndërkohë, sot genocidi serb në Kosovë ka ende fajtor të lirë ndërkohë që burgosen luftëtarët e UÇK! Nuk ka as distancim, as ndjesë zyrtare për genocidin dhe të zhdukurit dhe as trysni europiane për të si kusht bisedimesh për më tej! Serbia vijon me avazin e viktimizimit (sulmi NATO-s cilësohet agresion), fut armatime në Kosovë, sjell ushtri në kufi etj dhe BE bën sehir, një kontekst ky absurd që bashkë me premisat komprometon edhe ndërmjetësimin e BE e parimet ku duhet mbështetur ai.

“Menyja” pa reciprocitet e tryezës së anshme të BE!

Edhe nëse do të ishin bisedime kompromisi mes të barabartësh(!) minimumi kërkon respektimin e parimeve të paanshmërisë e reciprocitetit në proçes.

Por, tryeza ftohet nga dy politikanë nga vende që nuk e njohin Kosovën(!). Për hir të paanshmërisë, minimumi të paktën njëri prej tyre duhej të ishte nga një vend që e njeh Kosovën ndonëse si përfaqësues të BE të dy duhet të jenë nga vende që e njohin atë.

Nëse kjo u bë për të tunduar Serbinë e mundur me luftë, komprometon qasjen e BE ndaj vetë kësaj lufte. Sërbia ia bëri vetes gjithçka dhe BE nuk i detyrohet asgjë dhe një përzgjedhje e tillë favorizon vetëm opinionin se Sërbia ishte viktimë e mbase dikush në BE shfaq pendesën për bombardimin dikur!

Nga ana tjetër, dashje apo pa dashje, dinamika e bisedimeve jo vetëm po barazon palët (fituesin nga i munduri, viktimën nga agresori) por dhe e po e çon kandarin në favor të Serbisë (nga adoptimi i kushteve të saj, prioriteti i pikave të marrëveshjeve, fajësimi e masat selektive ndaj Kosovës për dhunën e serbëve lokalë(!), kalimi në heshtje i mosfirmosjes prej dorës së “fashuar” etj. E nëse paanshmëria fiton terren, nuk është befasi as shmangja e parimit të reciprocitetit kur vjen puna për të drejtat e pakicave etnike në rajon.

Kjo në vazhdën e qasjes jo proporcionale favorizuese të BE ndaj Serbisë (investimet, integrimi etj) në rajon ndonëse ajo mbetet “dele” e zezë kur vjen puna tek rreshtimi me politikën e jashtme të BE (sanksionet ndaj Rusisë, hapja ndaj gjeopolitikave ruso-kineze etj). Një qasje zhgënjyese për vendet reformatore në rajon e me ndikim dhe në bisedimet Kosovë - Serbi.

Kryefjala e ndërmjetësimit

Prioriteti i prioriteteve në këto bisedime duhet të jetë ai realitet që pranon sot vetë BE - njohja e pavarësisë së Kosovës, për të cilin Serbia sapo rikonfirmoi se nuk do e njohë kurrë!

Mjerisht, sot ndërmjetësimi, kaotik në rastin më të mirë, po shfaq anshmëri edhe në prioritetin e çështjeve mes palëve.

Refuzimi kategorik i Serbisë për të njohur Kosovën si shtet është një ngërç serioz për planet e shtrirjes së BE në rajon. Zgjidhja nuk është ulja e “stekës” së BE në bisedime në kurriz të Kosovës por shtimi i trysnisë ndaj Serbisë.

Përtej një vetoje ruse në Këshillin e Sigurimit apo aleancave serbe në botë, BE duhet të respektojë vetveten dhe vendimin e saj për të njohur Kosovën si shtet. Sa kohë Serbia deklaron mosnjohjen e Kosovës duke e mbajtur edhe në Kushtetutë, po aq kohë edhe BE duhet të arkivojë integrimin e Serbisë në BE, përjashtimin e Serbisë nga fondet e BE në rajon etj.

Shqipëria zyrtare vetë, më mirë të heshtë se sa të bëjë bedelin e Serbisë. Si me thirrjet për mirëkuptim(!) kur Serbia shmang sanksionet ndaj Rusisë, nxitjet e propozimet për Asosacionin (me Luginën të harruar), futjen e veriut nën kontrollin(!) e KFOR (një prapaktheu për sovranitetin e Kosovës) etj, ndërkohë, e ka detyrim kushtetues të lobojë fort korridoreve e zyrave të BE për të drejtën historike të Kosovës që BE të mos qorrollepset më nga propaganda serbe në rajon.

Demokracia nuk importohet, aq më keq duke e zhgënjyer atë tjetërkund (Kosovë). Demokracia perëndimore ecën edhe me “dele të zeza” rrotull saj (e bëri me dekada gjatë luftës së ftohtë).

BE mbase është e paplotë pa Serbinë por BE është më mirë pa të kur nuk ndajnë vlera të njëjta në mes. Një qëndrim realist ndaj Serbisë do të ndihmonte vetë demokracinë në Serbi duke qenë sinjal për të gjithë në rajon.

BE duhet të reflektojë ndaj rolit të emisarëve të saj në ndërmjetësimin Kosovë-Serbi. Sot ka krizë besimi tek ta, jo thjesht se vinë nga vende të BE që nuk njohin Kosovën por se bisedimet po enden në qorrsokak e prioritetet po anojnë nga Serbia.

Si emisarë të BE që njeh Kosovën, emisarët e saj duhet të jenë formalisht dhe personalisht pro kryeprioritetit të njohjes së Kosovës si shtet nga Serbia duke u investuar pa komplekse për të (tekat sërbe nuk kanë pse të jenë më arsye e faktor sepse Serbia po korr atë që mbolli dhe që tragjikisht po tundohet ta mbjellë sërish!).

Litari jashtë i Asosacionit apo makthi i nesërm i vetë BE

BE nuk është në këto bisedime të kënaqë Serbinë por të imponojë vlerat e saj në kontekstin konkret përfshirë këtu edhe qasjet ndaj pakicave kombëtare e reciprocitetin përkatës. BE duhet të ndajë qartazi në tryezë karrigen e agresorit e viktimës, të listojë prioritetet, detyrimet e të drejtat sipas frymës europiane duke përcaktuar dhe masat nëse refuzohen ato.

Bashkësia e Komunave serbe nuk ka pse të jetë as parakusht, as kryetitull bisedimesh apo më keq retorikë shurdhuese ndaj Kosovës martire që ende nuk gjen drejtësi për gjenocidin serb. Është një alibi e litar përjashta tensionesh serb më tej për një shtet si Kosova që bën edhe pa të sepse ka Kushtetutën më të favorshme për pakicat etnike në botë.

Një marrëveshje e tillë e panevojshme por që propozohet si parakusht për më tej, nëse duhet të merret në shqyrtim, duhet të ndodhë pas njohjes së shtetit të Kosovës dhe reciprocitetit mes tyre.

Nëse duhet respektuar firma e hedhur dikur për këtë Bashkësi (një “si-qysh-tek” që kërkon shpjegim), po aq duhet respektuar edhe Kushtetuta e Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, parimi i reciprocitetit mes palëve etj.

Një marrëveshje “gozhdë-nastradini” bëri edhe Shqipëria me Greqinë për detin dikur. Askush në BE nuk bën trysni sot për të sa kohë foli Gjykata Kushtetuese dhe Shqipëria duhet të ngrejë zërin e saj pro Kosovës edhe në këtë rast.

Nëse kjo Bashkësi duhet bërë, duhet ribiseduar në themel duke përfshirë parimin e reciprocitetit dhe karakterin jo ekzekutiv të tij. Një lloj shoqate që nuk shpie në skaj pozicionin e privilegjuar kushtetues e diskriminimin pozitiv të pakicës së ardhur serbe në Kosovë (unik në botë) aq më tepër kur shpërfillet totalisht reciprociteti me shqiptarët autoktonë në Serbi.

Ndryshe, BE jo vetëm rrezikon jo vetëm një “bosnjëzim” të radhës në rajon por, me integrimin e një Serbie peng i së shkuarës, ndoshta dhe një këmbë të Kremlinit të ngecur tek dera e saj!

Rri drejt e fol shtrembër!

BE nuk duhet të ndjekë qasje “leukoplast” në rajon. Problemet zgjidhen me themel dhe nuk mbulohen me marrëveshje të sajuara aty-këtu që tundojnë tekat ekstremiste serbe duke hapur probleme të rinj më tej.

Tryeza e BE nuk duhet të jetë tryezë e të barabartëve sepse historia ka ndarë fituesin nga i munduri. Bile BE as nuk ka pse të pretendojë të jetë e paanshme në këtë mes sepse pas bombardimit të Serbisë e me njohjen e Kosovës, u bë palë me të.

Kjo tryezë duhet të ulë Serbinë me Kosovën e BE përballë saj. Jo e kundërta. Serbia nuk duhet toleruar për të vijuar me të shkuarën e saj por ftuar për t’u bashkuar me perëndimin sapo të dalë vetë nga e shkuara që e mban peng.

Tryeza ka nevojë për ndërmjetësim real e nëse duhet anuar, të anohet nga e drejta historike ku Kosova ka kohë që ka zënë vend. Dhe nëse BE që sot rri drejt por flet shtrembër, nuk arrin ta bëjë këtë, sepse nuk di, nuk mundet apo nuk do, bën mirë t’i hapë krahun SHBA sepse Kosova, mbarë bota shqiptare, meriton më mirë dhe më shpejt. /dritare.net