Etleva Kondakçiu
Dhemb ikja e njerëzve! Dhemb edhe nëse bëhet fjalë për një komshi. Dhemb edhe nëse janë të rinj nga fis e farefis. Vështirë të bëhen mbarë gjithë kushërinjtë për festa dhe për halle.
Nuk ikin të gjithë për më shumë lekë, jo. Ikin se edhe nëse punojnë si punëtorë të thjeshtë, në punë të rënda e të rëndomta, trajtohen si njerëz, me dinjitet.
Dinjitet, dinjitet si njeri. Edhe punëtori që mbledh plehrat ka të drejtën, thjesht se është njeri, që të trajtohet me dinjitet.
Ka të drejtë:
- të paguhet aq sa të ushqehet normalisht, pa i shtrirë dorën kujt
- të paguhet edhe kur mungon se është sëmurë
- të ketë dy lekë edhe për të pushuar pak, për të ngrënë një drekë a një darkë jashtë
- të mund të ngrohë shtëpinë
- të ketë ujë të ngrohtë e të lahet kur të dojë
- të ankohet diku nëse e keqtrajtojnë
- të drejtën të mos shfrytëzohet vetëm se i kanë bukën e gojës në dorë
- të drejtën të kursejë diçka për ditë të keqe
- të drejtën të buzëqeshë
- të drejtën të jetë i lumtur
Për këtë ikin shumë njerëz.
E kemi kuptuar biznesin së prapthi.
Nuk kemi nevojë për biznese të reja. Kemi nevojë për mendësi të re.
Nëse do kisha unë fonde në dorë, do mbështesja njerëz që, më shumë sesa të zgjuar, mendojnë jo vetëm për vete.
Nuk më hyn në punë biznesmenllëku yt, nëse ti rrit ndër vite pronat dhe milionat, ndërkohë që punëtorin e trajton si shërbëtorin pa sy, pa veshë, pa gojë dhe pa jetë!/dritare.net