Na ndiqni edhe në

Opinione

Politikani "europian" i votave të grisura!

Politikani "europian" i votave të grisura!

Nertil Jole

Pusho moj ti!" - Me këto fjalë iu drejtua për turpin e tij Lulzim Basha në çelje të legjislaturës së re drejtueses së seancës znj. Luljeta Bozo, e cila falë fisnikërisë dhe kthjelltësisë së saj e drejtoi me shumë seriozitet dhe pozitivitet seancën e parë. Kjo ishte sjellja e tij “prej qytetari, prej politikani, prej biri”.

Teksa votohej një grua për Kryetare Kuvendi, i vetmi "qëndrim politik" i opozitës me përmbajtje vetëm simbolike, mund të ishte votimi kundër, edhe pse vota e saj nuk përcaktonte fatin e Kryetarit të Kuvendit. Por as këtë Basha herë nuk zhgënjeu. Grisja e fletëve të votimit ishte forma më banale dhe më e shëmtuar me të cilën ai mund ta fillonte “luftën“ e premtuar opozitare në sezonin e ri parlamentar.

Gjesti i shtirur tentoi të përcjellë pa sukses tek mbështetësit e PD idenë se këtej e tutje ai do të udhëheqë beteja e do sjellë fitore. Por harron se fleta e grisur në menyrë demonstrative është në fakt mandati i përfaqësimit që ai dhe të tjerët pas tij kanë marrë nga populli opozitar për ta perdorur me dinjitet e respekt. Vlera e saj llogaritet vetëm brenda kutisë së votimit. Edhe kur është pakicë ajo ka vlerë. Ka vlerën që shpreh parimin bazë të demokracisë dhe njëherazi evidenton shumicën.

Akti nuk ishte thjesht joparimor dhe i shëmtuar, por edhe hileqar, pasi ishte mënyra që ai zgjodhi për të kontrolluar votën e të vetëve, që në kuti nuk do ta kontrollonte dot, sikur bëri duke i detyruar ta grisin në sy të të gjithëve. Një formë që tregon se ai nuk iu beson dhe nuk e ka në kontroll qendrimin politik të grupit të tij parlamentar. Edhe rezultati i atij votimi e dëshmoi këtë.

Ajo shfaqje u duk se ishtë preludi i asaj që pritet. Asnjë ndryshim. Mungesa e ideve dhe vulgariteti, do të jetë përsëri oferta e tij politike. Në vend që të respektonte ditën e parë të legjislaturës së re dhe simbolikën që ajo bart, ai pas gati 3 vitesh bojkot parlamentar u rikthye sërish me po të njëjtin botëkuptim arkaik për sjelljen brenda institucionit ku mishërohet sovraniteti i popullit.

Dikush do thotë se sjellja e tij është nervoze ditët e fundit. Po, por nervozizmi që Basha reflekton në çehren e tij, qysh prej të enjtes, kur vendosi të përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar, nuk i buron nga situata e vështirë që po kalon brenda partisë, por nga lidershipi fals dhe pasiguria e spontanitetit.

Ky është edhe dëmi më i madh që ai i bën opozitës, duke vendosur për fatin e saj jo nga logjika e një lideri me karakter e vizion largpamës, por si i zënë peng nga frika e humbjeve personale.

Të gjitha sjelljet, qëndrimet dhe levizjet e tij nga 25 prilli e këtej, thjesht treguan se ai asnjëherë nuk ka ditur të jetë lideri frymëzues i demokratëve, por vetëm vjelësi i pushtetit të deleguar prej tyre dhe përfitimeve prej tij./dritare.net