Paketa e Maleve, Rama: Nuk po shiten malet, do të bëjmë Zvicrën e vogël
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama foli sot përmes rrjeteve të tij sociale për Paketën e Maleve, duke iu përgjigjur kritikave dhe kundërshtimeve ndaj kësaj nisme.
Gjatë komunikimit live, Rama iu përgjigj edhe një komentuesi që e akuzoi se “gënjen dhe mashtron”, ndërsa më pas u ndal te debatet për Paketën e Maleve.
“Këtu nuk jemi në kushtet ku shiten malet. Këtu jemi në kushtet kur malet po hapen për ata që në male kanë trashëguar një pronë”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se nisma synon t'u japë mundësi pronarëve që kanë pasuri në zonat malore, por që për vite me radhë nuk kanë mundur t'i dokumentojnë apo zhvillojnë ato.
“Jemi në kushtet kur njerëz të cilët kanë një pemëtore, të cilët e mirëmbajnë prej vitesh dhe për të cilën kanë pamundësi të kenë letrat, mund të pajisen me një leje për të bërë një agropërpunim”, u shpreh ai.
Rama tha se interesi për investime në zonat malore është i madh edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Mijëra emigrantë kanë shprehur interes sepse duan të investojnë. Turizmi do shkojë duke u bërë ekonomi gjithnjë e më domethënëse”, tha kryeministri.
Duke iu përgjigjur kritikave për shfuqizimin e Paketës së Maleve, Rama deklaroi: “Paketa e Maleve është politikë për njerëzit, të drejtën e pronës, zhvillimit të pronës. Politikë që u shkon për shtat atyre që për vite nuk kanë mundur ta kthejnë pronën në aset financiar”.
Më tej, ai u shpreh se kjo nismë është rezultat i një procesi të gjatë konsultimesh dhe përpjekjesh.
“Paketa e Maleve është gjëja që i ka munguar njerëzve, që kanë të drejtë të gëzojnë pronën e tyre dhe ta kthejnë në burim mirëqenie”, tha Rama.
Në fund, kryeministri u shpreh optimist për rezultatet që, sipas tij, do të sjellë kjo nismë: “Paketa e Maleve do jetë histori e madhe e shqiptarëve, për të bërë Zvicrën e vogël”./L.F-dritare.net