
FRESSH- i 31 vjet, Veliaj: Në maj PS-ja do jetë fitimtare në secilën bashki të qarkut!
Dritare.net
FRESSh-i feston sot 31-vjetorin e themelimit të tij në një festë rinore në Pallatin e Kongreseve, për të cilin mbajti një fjalim edhe drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj.
Në fjalim e tij Veliaj u shpreh se e ardhmja e familjes së madhe të socialistëve është Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë.
“Sot jam shumë krenar, jo vetëm për ata që themeluan FRESSH-in 31 vite më parë, por jam super mirënjohës për ata që, ndoshta 31 vite më parë nuk kishin lindur akoma, por sot janë pjesë e kësaj energjie të bukur, që është organizata jonë, familja jonë, që drejtohet nga Edi Rama. Familja është Partia Socialiste e Shqipërisë dhe e ardhmja e kësaj familjeje është Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë, të rinjtë europianë socialistë, kjo është motoja jonë!”, u shpreh Veliaj.
Veliaj theksoi se 1/3 e Këshillit Bashkiak të Tiranës përbëhet nga çunat e gocat e FRESSH-it.
“Kur dëgjoja kolegët këtu, pyeta veten, pse jemi ndryshe nga të tjerët? Ne nuk jemi nga ata që i mbajnë mikrofonin liderit, që ky të bëjë video në Tik Tok. Ne nuk i kemi aktivistët tanë për të djegur selinë e partisë së tyre, siç bën një parti tjetër. Para një jave, edhe ata kishin përvjetorin e djegies së selisë. Aktivistët tanë nuk bëjnë konspiracione se iu nxehet telefoni dhe mendojnë se i përgjojnë, nuk vuajnë nga komplekse të tilla, nuk djegin shtëpinë e tyre, nuk janë aty si sfond për udhëheqësat, por janë me fuqi reale, me votë reale në forumet ku merren vendimet për qytetet tona,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se PS-ja në Qarkun e Tiranës ka si qëllim të angazhojë të rinjtë në çdo Këshill Bashkiak, në mënyrë që të jenë ata që i marrin vendimet. Veliaj tha se, pas 4 muajsh, PS-ja do të gdhihet fitimtare në secilën prej bashkive të qarkut më të madh në vend./A.ZH-dritare.net

















