
Provat e reja për 21 janarin, Meta: Shashkë e nivelit ordiner! Kërcënon për 14 majin
Dritare.net
Një shashkë të nivelit ordiner e ka quajtur kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta audiopërgjimin e ri të 21 janarit, duke theksuar se kjo nuk e heq dot vëmendjen nga nga skandalet e qeverisë.
"Kjo është një shashkë e nivelit më ordiner për të shmangur vëmendjen nga afera inceneratorëve dhe skandale të tjera. Këto janë histori që nuk i fshehin dot skandalet e Ramës. Tregojnë ca niveli është drejtësia, që hap e mbyll çështje me urdhër të Edi Ramës. Mashtrimet e Edi Ramës nuk i sheh drejtësia e pavarur, ata të hetojnë edhe para 12 vjetësh edhe para 3 mijë vjetësh, por shqiptarët nuk janë budallenj e shohin sesi po vidhen nga Rama dhe mezi po presin 14 majin për ta ndëshkuar këtë regjim", tha Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë tha se opozita do ndryshimin me çdo çmim më 14 maj ku sipas tij ‘çmimin’ do ta vendosë Rama ‘që vë dorë mbi zgjedhjet’.
“Do ta shikojnë te kutitë e votimet nëse dikush vendos të vërë dorë. Më 25 prill diheshin marrëveshjet dhe pazaret dhe kutitë ishin mbyllur. Ishte marrëveshje e përbashkët e të dyve për rezultatin që duhet të dilte. Ne do të luftojmë deri në fund për fitoren e opozitës, për një proces të ndershëm dhe të rregullt. I vetmi i interesuar për prishjen e procesit që po punon për prishjen e tij është Edi Rama dhe marionetat e tij. Ne jemi shumë të qartë në rrugën tonë, ndryshim me çdo çmim. Çmimin le ta caktojë vetë ai që dëshiron të vërë dorë mbi procesin zgjedhor për herë të tretë apo të katërt”, tha Meta.J.H/dritare.net

















