Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pse Erdogani u dhuroi liderëve të NATO-s revole me municion pas samitit në Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ka dhuruar liderëve të vendeve anëtare të NATO-s një revole të rrallë turke, të shoqëruar edhe me municion, pas përfundimit të samitit të Aleancës në Ankara.

Dhurata, e cila synonte të promovonte industrinë turke të mbrojtjes, ka shkaktuar reagime të ndryshme dhe sfida logjistike për transportin dhe ruajtjen e armëve në vendet përkatëse.

Sipas Reuters, bëhet fjalë për modelin Gumusay 357 Magnum, një revole e prodhuar nga kompania shtetërore turke MKE gjatë viteve 1990. Arma ishte vendosur në një kuti druri me flamurin e Turqisë, logon e NATO-s dhe një pllakë përkujtimore, ndërsa në disa raste ishte e gdhendur edhe me emrin e liderit që e mori si dhuratë.

Kryeministri belg Bart De Wever ia dorëzoi revolen policisë së aeroportit në Bruksel për ta ruajtur në një kasafortë. Ndërkohë, arma e presidentit polak Karol Nawrocki po pret procedurat doganore në Varshavë, ndërsa autoritetet theksuan se do të ruhet në mënyrë të sigurt dhe nuk do të përdoret.

Holanda dhe Suedia njoftuan se revolverët janë dërguar në ambasadat e tyre në Ankara, ku po kryhen procedurat për importin dhe çaktivizimin e tyre. Nga ana tjetër, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka vendosur dhuratën në Pallatin Chigi, së bashku me dhuratat e tjera shtetërore.

Sipas një burimi nga Downing Street, kryeministri britanik Keir Starmer mori një paketë që përfshinte revolen, një komplet pastrimi dhe 500 fishekë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se synon ta dhurojë armën në një muze ushtarak, ndërsa kryeministri grek planifikon ta ekspozojë në Muzeun e Luftës në Athinë.

Industria turke e armëve është shndërruar vitet e fundit në një nga instrumentet kryesore të eksportit dhe diplomacisë së Ankarasë. Sipas organizatës Small Arms Survey, Turqia ishte eksportuesi i tretë më i madh në botë i armëve të vogla gjatë periudhës 2019–2024, pas Shteteve të Bashkuara dhe Italisë.

Dhurata e pazakontë e Erdogan ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, jo vetëm për simbolikën e saj, por edhe për procedurat ligjore dhe të sigurisë që kërkon transporti dhe ruajtja e armëve nga liderët e vendeve anëtare të NATO-s./L.F-dritare.net