Na ndiqni edhe në

Shëndet

Mos u mbyll në shtëpi! Pse ecja dhe vrapi në dimër të bëjnë mirë

Mos u mbyll në shtëpi! Pse ecja dhe vrapi në dimër të

Me temperaturat e ulëta që kanë shoqëruar muajin janar, tundimi për të qëndruar brenda në shtëpi është i madh. Megjithatë, ekspertët e aktivitetit fizik theksojnë se ecja ose vrapi në ambiente të hapura mbeten zgjedhje të shëndetshme edhe gjatë dimrit, për sa kohë respektohen disa rregulla bazë.

Antonio La Torre, profesor i asociuar i Shkencave në Universitetin e Milanos (UNIMI) dhe drejtor teknik e shkencor i Federatës Italiane të Atletikës (FIDAL), shpjegon se aktiviteti fizik në të ftohtë nuk rrit rrezikun e sëmundjeve, nëse kryhet në mënyrë të kujdesshme. Sipas tij, veshja e përshtatshme me shtresa që nuk pengojnë frymëmarrjen e trupit dhe shmangia e qëndrimit jashtë i djersitur pas aktivitetit, ndihmojnë në uljen e rrezikut për shqetësime shëndetësore. Ai thekson se sëmundjet nuk shkaktohen nga i ftohti në vetvete.

Në një rishikim të literaturës shkencore mbi aktivitetin fizik në ambiente të hapura, La Torre nënvizon se sporti në natyrë sjell përfitime sociale, psikologjike dhe fiziologjike, me efekte parandaluese të dokumentuara si tek të rinjtë ashtu edhe tek të moshuarit, ndaj një sërë patologjish. Këto përfitime mbeten të vlefshme edhe kur temperaturat bien.

Nga ana tjetër, Fabio Vedana, trajner i atletëve profesionistë thekson rëndësinë e nxehjes para aktivitetit. Ai rekomandon një para-nxehje në ambiente të mbyllura, me ushtrime të lehta si kërcime, hapa përpara dhe anash, si dhe rrotullime të krahëve për disa minuta, për të rritur gradualisht rrahjet e zemrës dhe temperaturën muskulore. Sipas tij, edhe pas daljes jashtë, aktiviteti duhet të nisë në mënyrë progresive dhe jo me intensitet maksimal.

Ekspertët bien dakord se aktiviteti fizik në dimër, i kryer në mënyrë të sigurt dhe të ndërgjegjshme, mbetet një aleat i rëndësishëm për shëndetin dhe mirëqenien./L.F-dritare.net