Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

“Bëj çfarë ndjen”. Mesazhi modern, me pasoja tragjike

“Bëj çfarë ndjen”. Mesazhi modern, me pasoja

Nga Malvina Tare

Kobshëm nisi ky fillim viti për të rinjtë. Ndërsa ende nuk ishte shuar jehona e festimeve të Vitit të Ri, në një natë që zakonisht shënon fillime, shpresa dhe premtime. Në një bar nate në Zvicër, dhjetëra të rinj ishin mbledhur për të festuar ardhjen e vitit të ri. Muzikë, drita, vallëzim. Asgjë nuk paralajmëronte se ajo natë do të përfundonte në një nga tragjeditë më të rënda, ku festa u shndërrua në zjarr, dhe gëzimi në humbje jete.

Një nga momentet më tronditëse të kësaj ngjarjeje nga pamjet e shpërndara në media, ishte reagimi i të rinjve në çastet e para të rrezikut. Në vend që të largoheshin, shumë prej tyre filmonin me telefona duke mos qenë të vetëdijshëm se çfarë po ndodhte. Ky veprim nuk është i rastësishëm.

Të rinjtë nuk zgjodhën vdekjen. Ata nuk e panë atë që po vinte, sepse psikologjia e moshës dhe e momentit ua verboi sensin e rrezikut.

Psikologët e quajnë “iluzioni i pavdekshmërisë rinore” ndjesinë e fortë që kanë të rinjtë se rreziku u ndodh gjithmonë të tjerëve. Mendimi dominues është i thjeshtë dhe fatal:

“Kjo nuk mund të më ndodhë mua.”

Edhe përballë një rreziku real, si zjarri, shumë të rinj besojnë se do arrijnë të dalin në kohë,dikush tjetër do ndërhyjë, situata do mbyllet pa pasoja.
Por realiteti është brutal, zjarri nuk negocion. Ai nuk pret reflektim, nuk jep kohë për vendime të dyta. Iluzioni i kontrollit shndërrohet në sekonda në humbje totale kontrolli.

Në çastet kur rreziku shfaqet, instinkti njerëzor duhet të reagojë. Por në disa raste, sidomos tek të rinjtë, ky instinkt duket se hesht. Tragjedia e ndodhur gjatë një feste nate, ku humbën jetën dhjetëra të rinj, nuk flet vetëm për mungesë sigurie. Ajo flet për një krizë perceptimi të rrezikut, të ndërtuar gradualisht nga psikologjia e moshës dhe kultura e kohës.

Një tjetër element kyç është mosha. Shumë prej viktimave ishin 16–17 vjeç, në një fazë ku truri ende nuk ka përfunduar zhvillimin e tij. Pjesa që kontrollon vendimmarrjen, vlerësimin e rrezikut dhe parashikimin e pasojave është ende në formim. Kjo i bën të rinjtë më të ndjeshëm ndaj emocioneve të momentit dhe më pak të aftë për të marrë vendime racionale në situata kritike.

Prania e alkoolit e thellon edhe më shumë këtë gjendje. Alkooli ul vigjilencën, shtrembëron perceptimin dhe krijon një ndjenjë të rreme sigurie. Nën efektin e tij, rreziku banalizohet, frika zbehet dhe kufiri mes lojës dhe katastrofës humbet. Ajo që duhet të ishte sinjal alarmi, kthehet në argëtim.

Kjo tragjedi në Zvicër nuk është vetëm historia e një bari nate dhe e një zjarri fatal. Është një pasqyrë e dhimbshme e mënyrës se si shoqëria jonë po i lë të rinjtë të përballen vetëm me rrezikun, pa mjetet psikologjike për ta njohur dhe pa kufijtë për ta ndalur.

Shoqëria moderne, shpesh pa e kuptuar, po ua delegon të rinjve përgjegjësinë për vendime që kërkojnë pjekuri psikologjike që ata ende nuk e kanë. Të rinjtë hyjnë në ambiente nate pa mbikëqyrje reale, ekspozohen ndaj alkoolit në moshë të vogël, përballen me situata të rrezikshme pa udhëzim dhe pa kufij të qartë.
Të rinjtë lihen të vendosin vetë në situata ku vendimmarrja kërkon përvojë. Dhe kur kufijtë mungojnë, iluzioni i kontrollit zë vendin e sigurisë reale.

Kultura e “bëj çfarë ndjen”

Mesazhi që shoqëria u përcjell të rinjve është i thjeshtë, por i rrezikshëm:
“Shijoje momentin. Mos mendo shumë. Jeto tani.”

Por pa një kundërpeshë, ky mesazh shndërrohet në sjellje vetëshkatërruese. Kënaqësia e momentit fiton ndaj mendimit për pasojat. Festa fiton ndaj alarmit. Spektakli ndaj jetës.

Kur themi se shoqëria po i lë të rinjtë vetëm përballë rrezikut, nënkuptoj se po u jep një liri pa udhëzim, argëtim pa mbrojtje dhe përgjegjësi pa mjete për ta përballuar.
Kjo tragjedi na kujton, në mënyrën më të dhimbshme, se liria pa kufij e 17-vjeçarëve, nuk është emancipim, është braktisje./dritare.net