Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Dua ta rris time bijë në Shqipëri. Ju lutem mos ma bëni të vështirë kthimin!

Dua ta rris time bijë në Shqipëri. Ju lutem mos ma bëni

Nga Kadrije Çako

Unë jam nënë e një vajze që shumë shpejt do mbushë 3 vjeçe, pastaj 5, 10, 14… Jetoj prej pak kohësh në Greqi, por kurrë nuk i kam shkëputur lidhjet me vendin që dua të rikthehem të vazhdoj jetën. Vendim i cili duket gjithnjë e më shumë i vështirë të merret. Kjo letër është veçanërisht për time bije. Dhe për mua si nënë. Për frikën që rritet bashkë me të. Më tmerron ideja që dikush do ta lëndojë, bullizojë.
Apo edhe më keq, si fati i Martinit të cilën as që dua ta mendoj, se çmendesh vetëm me mendimin. Më dhemb kjo vrasje e madhe që po kalojmë si shoqëri. Sepse nuk dua që shoqëria jonë të degradohet edhe më shumë në të ardhmen që ka përpara ime bijë. Ndaj nëse nuk duam që e ardhmja të jetë më e keqe se e hëna që të gjithë e qamë, duhet të luftojmë sot. Mbi të gjitha ne nënat. Unë me time bijë duke i mësuar të drejtën, normat e shoqërisë, vlerat për jetën që nuk ka të dytë. Dhe të gjithë me djemtë e vajzat e tyre, fëmijë apo adoleshentë që me siguri është e vështirë të komunikosh me ta, t’i bindësh, të ndikosh, por nuk mund të jetë e pamundur.
Unë nuk dua t’i gjykoj prindërit, as t’u tregoj çfarë të bëjnë sepse secili e di vetë çfarë është mirë për fëmijën e tij. Por kjo që po ndodh tani nuk është e mirë për askënd, as për ju që jetoni atje, e ndoshta doni të ikni, e as për ne që jetojmë jashtë e duam të kthehemi.
Sepse unë bashkë me ju po shohim fëmijë që po vrasin njëri-tjetrin për një shikim. Sepse nuk dinë të flasin. Të komunikojnë, të sillen. Sepse sot modelin e gjejnë në TikTok, në Instagram, në Snapchat, në Tinder, në lojërat me armë, me sharje, për të marrë ca like dhe gifte më shume. E pastaj kur dalin në rrugë sillen njësoj.
Me kërcënime, apo si ata djemtë që vranë, kërcënuan, shanë dhe me gjithë gjakftohtësinë ia treguan botës.
Epo nuk dua të jetë kështu mjedisi që të rris vajzën time kur të hyjë në fazën e paraadoleshencës, edhe më pas, kur të kthehem në vendin tim. Sigurisht, nuk ka vetëm në Shqipëri adoleshentë të tërbuar. Ka edhe në Greqi plot djem e vajza, adoleshentë që shajnë e zihen, vjedhin dhe dhunojnë njëri-tjetrin. Por siguria këtu për ngjarje të ngjashme është më e lartë.
Mua më dhemb për Shqipërinë, që shpresoj ta rris time bijë me normat dhe vlerat e mia, me edukimin që do marrë në shkollë, edhe me mendimin që do ketë shoqe e shokë që nuk do e bullizojnë dhe jo bashkë me të, të bullizojnë të tjerët. Jo, nuk dua ta mendoj, por të flas tani me time bijë që është e vogël, sepse tani fillon e kupton edhe do mësojë rrugën që duhet të ecë dalëngadalë pa shkelur të tjerët, pa i sharë, pa thënë unë jam më e mira dhe mbi mua nuk ka tjetër. Ndaj tani ju kërkoj vetëm një gjë; Ju lutem mos ma bëni të vështirë kthimin në Shqipëri, sepse për ata fëmijë po jetojmë. Për të ardhmen e fëmijës erdha në Greqi, për disa para më shumë. Sot nuk i mendoj më paratë, por kthimin në Atdhe. Por kam frikë, kam frikë për vajzën. Çfarë do t’i them kur të pyesë për Shqipërinë që sheh në lajme? Që vriten fëmijët nga fëmijët, në shkollë? Jo, dua t’i tregoj për një realitet tjetër, që edukimi në Shqipëri është më i miri, sepse janë po ata mësues që më mësuan e edukuan mua me normat që unë do ia përcjell fëmijës sim. Por mbi të gjitha që ka siguri.
Ndaj ju kërkoj të kontribuojmë të gjithë në edukimin e fëmijëve tanë, prindër e mësues. T’u mësojmë pak nga pak çfarë është mirë për ta, t’i mbrojmë nga vetja pa u nxjerrë përbindëshat që kanë brenda, apo që ua injektojnë të tjerë. Të bëhemi bashkë për të rritur fëmijët tanë që mos na bëhen mish për top dhe të vdesim e ne bashkë me ta.
Kjo është një letër e shkruar nga një nënë në emigrim, e frikësuar, por që ëndërron se e ardhmja e saj dhe e fëmijës është në Shqipëri. Mos ma prishni ëndrrën!/dritare.net