
Nga Ermal Peçi
Pushtimi i Dashurisë njeriun mund ta përfshijë në disa forma me përjetime të ndryshme, në dashuri për atdheun, në dashuri për familjen dhe në raport me njeriun e zemrës. Dashuria mund të pushtojë dhe ndodh që brenda kësaj ndjenje kaq sublime e humane në momentin kur një nga personat e përfshirë nuk merr atë që jep ka momente që ajo kthehet në urrejtje për të shkatërruar njëri-tjetrin.
Pushtimin e Dashurisë si term e kam hasur për herë të parë kur kam lexuar romanin e Ben Blushit, "Shqipëria".
Shqipëria është një variant shqiptar i miteve biblike, i krijimit dhe i arkës së Noes, por ndryshe nga këto të fundit Zoti i Shqipërisë është një njeri që do të zëvendësojë Zotin tradicional. Ai do të korrigjojë të gjitha gabimet e Zotit, por eksperimenti i tij human është i destinuar të dështojë, sepse nuk mund të ketë një vend pa familje, pa prona, pa para... Sepse një ditë, çdo tokë do të pushtohet nga dashuria.
Dashuria pushtoi edhe Partinë Demokratike për vitin 2022, një dashuri që përfundoi në urrejtje, një histori e cila nisi për të vrarë “Zotin e PD-së”
Sali Berishën.
“Por ka njerëz që ngatërrohen kur duan të zëvendësojnë Zotin. Ata e kuptojnë punën e Zotit si një vogëlsi. Disa mendojnë se, duke u bërë Zot do të gjejnë një grua që nuk e kanë pasur, do të shtojnë pasurinë, do të fitojnë një punë të mirë e të rehatshme, do të hakmerren ndaj dikujt që ju ka rënë në qafë. Kjo është arsyeja që dështojnë pa pushim dhe nuk përzgjidhen nga njerëzit e tjerë për të zëvendësuar Zotin”-(Marrë nga romani "Shqipëria")
Ishte ky viti kur Shqipëria dhe bota pa realisht se çfarë fytyre ka lufta politike brenda të njëjtit lloj. Se deri në çfarë pike shkon lufta për pushtet e për karrige.
Partia e cila shënjoi rënie e komunizmit dhe hapjen me botën, u mbyll në vetvete me blinda.
Panoramë që tregon që politika mund të jetë një fuqi shumë e madhe e zhvilluese ose mund të jetë e kundërta dhe të japi pamje të një grushti shteti.
Sali Berisha ditë pas dite me narrativën e tij dhe me peshën e figurës së liderit historik arriti të mbledhë pas vetes me mijëra njerëz në çdo qytet të Shqipërisë dhe më pas shpalli luftë brenda partisë. Lulzim Basha zgjodhi që në këtë luftë mos të merrte pjesë, por të tërhiqej dhe ta mbikëqyrte nga larg. Ndryshe nga Zoti që nuk i intereson e shkuara e individit, Sali Berisha pikërisht këtë kishte armën më të fortë të shkuarën e vartësve të vet, të cilët i kishte përzgjedhur me dorën e vet. Nga kjo e shkuar nisën akuzat për shitje, gjysmë të vërtetat, përplasjet fizike, aferat korruptive, gjithçka përfshiu kjo luftë, e cila e solli që partina më e madhe opozitare të ndahet në tre palë. Në grupin, i cili mbështet PD-në zyrtare, në grupin i cili mbështet Sali Berishën dhe një palë e tretë, e cila nuk është as me Berishën e as me Bashën. Kjo luftë prodhoj dhe largime politike të dy nënkryetarëve të partisë të cilët dorëzuan mandatin, por vetëm koha do e vërtetojë në ishin lëvizje të zgjuara politike apo udhëhiqeshin nga pragmatizëm personal.
Palët në parti janë aq shumë të ndara sa vetëm një marrëveshje e madhe mund t`i uli gjakrat, por mesa duket nuk ka “Asgjë të re nga fronti i perëndimit”
Panoramë e një situate, e cila tregon se Partia Demokratike ka nevojë imediate për gjak të ri, mentalitet të ri dhe figura të reja. Për sa kohë nuk do të ketë qarkullim elitash dhe jo marioneta dhe kukulla të reja të komanduara Partia Demokratike do të jetë e destinuar të qëndrojë në opozitë dhe çdo zgjedhje t’i pakësohen votuesit dhe ta braktisin si alternativë sepse Partia Demokratike është pushtuar nga dashuria e sinqertë e demokratëve, por jo e elitës së partisë kundrejt tyre, një dashuri e cila ka prodhuar urrejtje e luftë në çdo qelizë të partisë.
Siç thoshte dhe Friedrich Nietzsche njeriu duhet të ketë ende kaos në vetvete për të qenë në gjendje që të lindë një yll kërcimtar dhe Partia Demokratike duhet të ketë kaos brenda saj që të lindë lideri i duhur./dritare.net

















