Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Shqiptarëve të mi!

Shqiptarëve të mi!

Nga Eni Molla

Shqiptarët janë një popull i dashur, për mua më i dashuri nga të gjithë. Jam e dashuruar me idenë e shqiptarëve. Më pëlqen t'i kundroj. Nganjëherë eci rrugëve të qytetit pa ndonjë qëllim të caktuar. Nuk kam asnjë punë, ecejakem duke parë shqiptarët. I njoh. Nga fytyra që u shpreh mendimet, nga e folura me vete, se si tundin kokën, kur takohen dhe puthen nga katër-pesë herë. Vajzat aq të bukura të shqiptarëve dhe çunat e gjatë. Duhet thënë që jemi përshkruar gjithnjë si shtatlartë por kohët e fundit ishim tkurrur disi, tani më duket sikur jemi kthyer ata të parët, ata shtatlartët.

Jam e dashuruar me idenë e shqiptarëve. Dua t’i shoh mirë e më mirë, lart e më lart, të gjithë! Dua që ai vendi i vogël aq shumë i sakrifikuar të shihet vetëm me sy të mirë e të marrë veç lëvdata. Jam e etur të dëgjoj lëvdata për vendin tonë.

E pyes veten sa herë ç’më afron me shumë prej shqiptarëve që njoh. Disa prej tyre i kam miq, më lidhin shumë gjëra. Të tjerë i kam familje, kushërinj, më lidh shumëçka. Por me shumë prej bashkatdhetarëve e mi nuk më lidh asgjë fare. Nuk më lidhin bindjet personale, shija, mendësia…asgjë…por unë i njoh, ua njoh jetën, vuajtjet, sakrificat, boshllëkun që kanë ndjerë më mirë se ata njohin veten. Sepse i kam kundruar gjithë jetën time. I kam dashur siç do fëmija familjen që e rrethon.

Shqiptarët përgjithësisht flasin keq për veten e tyre. Mendojnë se janë rrëmujaxhinj, se vjedhin, se vrasin, se korruptohen, se ky vend nuk bëhet. Unë mendoj se këto janë anë të këqija të gjinisë njerëzore. Unë mendoj se vjedh e gjithë bota,(madje vjedh edhe më shumë nga ne). Korruptohet e gjithë bota se korrupsioni ka lindur me njeriun. Vret e gjithë bota, madje bota ka vrarë e shtypur njeriun shumë herë më shumë se ç'thotë. Bota ka nisur e bitisur luftëra botërore, ka shfarosur kontinente të tërë, ka kolonizuar e kryqëzuar qenie njerëzore për shekuj me radhë, kështu që ndjehuni në paqe shqiptarë, nuk jeni ju vrasësit, dhunuesit, kryqëzuesit. Ju jeni nga ana tjetër e atij breglumi.

Por ndryshe nga botës, neve nuk na kanë mësuar të duam vetveten. Nuk na kanë kultivuar dashurinë për veten tonë.

Është punë që kultivohet!

Që fëmijë na kanë edukuar të respektojmë tjetrin, mikut ballin e vendit, se mos na turpërosh në sy të botës! Sikur bota më e rëndësishme se ne vetë. Kurrë paqe, gjithnjë luftë me vetveten. Kurrë të kënaqur, kemi ecur krah për krah me vetësakrificën. Sikur ne nuk vlejmë, sikur vetja është e fundit në listë...

Nuk kemi pasur shumë shanse në jetë ne shqiptarët, nuk na ka buzëqeshur gjithnjë fati, nuk kemi pasur asgjë kollaj, por më i vështirë ka qenë turpi i të qenit shqiptar. Ajo ka qenë për të gjithë ne kafshata më e pakapërdijshme .

Këto ditë vogëlushët me flamujt e veshur në trup ishin më të bukurit rrugëve. Më krenarët, qytetarë të denjë të së ardhmes, dhe ne të rriturit, ata që u mundësojmë përditë atyre mrekullinë e jetës dhe të të ndjerit qytetarë të denjë të së ardhmes të veshur me flamuj.

Mendoj se ka ardhur koha të duhemi, të vlerësohemi, të përgëzojmë vetveten dhe njëri-tjetrin për çka jemi, për çka kemi, për çka i kemi shkulur kohës me zor, për se si kemi mbijetuar. Në këto ditë festash kur të gjithë festuam ju pashë ashtu siç jeni. Shtatlartë, të bukur, të shkolluar, hallexhinj, të pashpresë, të egërsuar nga jeta…por të gjithë shqiptarë. Çfarë është Shqipëria? Një grusht dhè? Një e ve e gjorë? Një fisnike përmbi gur? Çuka, kodra, apo lumenj të kulluar? Shqipëria jemi ne, dhe ajo është e tillë sepse ne në Shqipëri kemi vlerë ndryshe, kemi vlerë më shumë se në çdo cep tjetër të botës.

Në këto ditë festash u ndjemë të lidhur me të tjerët nga ajo fija e padukshme që na mban bashkë përmes shekujve. Jemi të gjithë njësoj kur lidhemi me atë fijen, të gjithë provojmë të njëjtën ndjesi…

Ne, flamuri dhe Shqipëria! Nuk ka popull që të nderojë flamurin si ne, nuk ka popull që dita e flamurit e bashkon aq sa na bashkon ne. Ne flamurin e kemi brenda, e duam me ose pa shtet, me apo pa dynja, me apo pa luftë. Ne flamurin tonë e kemi për vete, secili!

Reflektimi im këto ditë ishte për shqiptarët, të cilëve më në fund u erdhi dita ta shpalosin lirisht flamurin e tyre kudo që ndodhen, Në shtetet e tyre të udhëhequr nga ata vetë, dhe në vende të tjera ku kanë lindur ose kanë mërguar, sepse kafshata e pa kapërdijshme tashmë nuk është më në tryezë. Jemi sërish shtatlartë, të shkolluar, me vetëbesim dhe pse jo të dashuruar me idenë e Shqipërisë dhe të vetes tonë, sepse ajo e ve e gjorë tashmë nuk është më aq e shkretë.

Kështu në këto ditë u uroj shtatlartëve, fisnikëve, bujarëve, të thjeshtëve, punëtorëve, të bukurve, të zgjuarve, hallexhinjve, shumë të dashurve bashkatdhetarëve të mi, të shijojnë çdo ditë, çdo rreze dielli, çdo çukë, gërxh, pyll, mal, kodër, çdo bekim deti, çdo liqen e lumë të kulluar të vendit tonë! Ia lënçim fëmijëve më të bukur, më të madh e më të bashkuar se kurrë…/dritare.net