150 vjet miqësi ndërfetare! Elbasani në sytë e producentit Andi Deliana!
Dritare.net

Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në “DritareTV”, regjisori Andi Deliana tregoi kujtime dhe reflektime për qytetin e tij të lindjes, Elbasanin, duke e përshkruar si një vend me histori të pasur dhe një bashkëjetesë të jashtëzakonshme mes komuniteteve.
Deliana përmendi kalatë e qytetit dhe bazilikat e lashta, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike: “Në Elbasan është gjetur një bazilikë e shekullit të pestë, që tregon influencën e Romës, dhe ka shumë për të studiuar dhe zbuluar jashtë mureve të kalasë.”
Ai foli edhe për atmosferën sociale dhe fetare të qytetit: “Elbasani ka pasur gjithmonë një bashkëjetesë të veçantë. Familjet myslimane dhe të krishtera kanë jetuar krah për krah, kanë pasur respekt dhe miqësi, dhe kjo traditë vazhdon edhe sot. Madje, miqësia ka zgjatur për më shumë se 150 vjet.”
Një element që e bën qytetin të veçantë, sipas Delianës, është edhe kontributi i komunitetit ndaj arsimit dhe kulturës: “Brenda Kalasë së Elbasanit ka lindur një numër i madh akademikësh dhe personalitetesh që kanë pasuruar jetën kulturore dhe shkencore të Shqipërisë.”
Deliana përfundoi me një mesazh për publikun: “Elbasani është një qytet që flet për historinë, për edukimin dhe për bashkëjetesën. Të nderojmë qytetin tonë dhe të mësojmë nga historia që ai ruan.”/K.C/dritare.net