Na ndiqni edhe në

Shqip

Kur Amerika vendosi për fatin e Shqipërisë. Flet Roland Bimo

Kur Amerika vendosi për fatin e Shqipërisë. Flet Roland Bimo

Në një intervistë për emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, ambasadori Roland Bimo analizoi rëndësinë e vendimeve të fuqive të mëdha për fatin e Shqipërisë dhe rolin që populli shqiptar duhet të ketë në artikulimin e interesave të tij. Ai vuri në dukje se pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria nuk mund të shihej si përgjegjëse për fatin që iu caktua: “Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ne nuk mund të bëheshim dhe aq fajtorë për atë që na caktuan, të ishim pjesë e Perandorisë së Lindjes sepse u vendosën fatet në vende të tjera. Pavarësisht se mund të themi që komunistët në Shqipëri bënë atë që bënë, ata nuk do të kishin qenë në gjendje të bënin ato që bënë po të ishin marrë vendime të tjera për Shqipërinë apo ish-Jugosllavinë, ku Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi donin që partitë komuniste të mos fitonin, siç ndodhi në Itali, Francë dhe Greqi. Ata ia dolën me miliona mënyra. Partitë komuniste në Itali, Francë dhe Greqi kanë qenë shumë herë më të fuqishme se Partia Komuniste Shqiptare, e cila, për hir të së vërtetës, pavarësisht se çfarë thuhet sot, deri në vitin 1949 ka qenë në ilegalitet. Asnjëri nuk e dinte se çfarë ndodhte. Sa më shumë të afrohesh me ato ngjarje të kohës, aq më shumë kupton që nuk jemi realisht të vetëdijshëm për mënyrën se si i shikojmë gjërat.”

Ambasadori theksoi gjithashtu kompleksitetin e jetës politike shqiptare sot: “Kur nuk jemi në gjendje të themi asgjë, vendimet për ne do t’i marrin të tjerët. Dhe është për të ardhur keq, ndonëse nuk më takon mua ta them, që edhe pas 30 vjetësh nga rënia e sistemit komunist, dy kryetarët e komisionit të reformës nuk janë në gjendje të bien dakord se ku do të bëhen zgjedhjet, në çfarë ore do të hapen kutitë e votimit dhe kur do të mbyllen. Duhet të vijë Venecia dhe OSBE-ja, dhe ngadalë-ngadalë, për fat të mirë, u mbyll USAID, se në të kundërt duhet pyetur edhe ai. Kjo tregon se elementi politik shqiptar, për të ekzagjeruar pak, vazhdon të mbetet vetëm një shprehje gjeografike. Kur nuk je një entitet politik që gjen një gjuhë të përbashkët për çështje madhore të kombit, nuk mund të marrësh pozicion të qartë për politikën e jashtme. Dhe edhe sikur të përpiqesh, është e kotë.”

Shembulli i ndërhyrjes së presidentit Trump në Venezuelë ilustron qartë problematikën: “Ndërhyrja e tij në Venezuelë duket si shkelje e ligjit ndërkombëtar, dhe shteti shqiptar është ndër të parët që e përgëzon këtë. Kjo nuk është normale. Vendet e vogla duhet të jenë të parat që kërkojnë respektimin e ligjit ndërkombëtar, sepse ne jemi të parët që vuajmë nga shkeljet. Historia e Shqipërisë e ka treguar këtë, sa herë që fuqitë rreth nesh – Greqia, Serbia, etj. – kanë bërë çfarë kanë dashur, pa respektuar ligjin ndërkombëtar. Ne duhet të jemi të parët që thonë: “Jo, ligji ndërkombëtar duhet respektuar. Ai që e shkel, duhet të dënohet.” Venezuela ka të drejtë të jetojë në liri dhe demokraci. Por kur shohim shtetet si Britania e Madhe apo Spanjën, duket se e gëlltisin gjuhën kur bëhet fjalë për ligjin ndërkombëtar. Sidomos Bashkimi Europian, që është produkt i ligjit ndërkombëtar, nuk mund të ekzistojë pa respektimin e traktateve. Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë një faktor kyç për sigurinë tonë. Fati ynë shpesh është përcaktuar nga konjunkturat dhe nga interesat e tyre. Për shembull, pas Luftës së Dytë Botërore, britanikët nuk e njihnin kufirin jugor të Shqipërisë dhe mendonin se i takonte Greqisë. Por vendimi i Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit siguroi që Korça dhe Gjirokastra të mbeteshin brenda juridiksionit të Shqipërisë. Pra, fati ynë varet shumë nga ajo që kërkon populli vetë dhe nga mënyra si artikulohen interesat tona si komb.”, tha Bimo./K.C/dritare.net