
Bankers, si qiraxhiu që nuk paguan qira, po vetëm ujë e drita!
Dritare.net
Pas arrestimit të Leonidha Çobos, ish-administrator i “Bankers Petroleum”, dhe Hongping Xiao, shtetas kinez dhe drejtor aktual i kompanisë, në kuadër të një operacioni të Prokurorisë së Fierit për evazion fiskal dhe pastrim parash, janë rikthyer në vëmendje marrëveshjet koncesionare në sektorin e naftës dhe mënyra sesi këto kontrata janë zbatuar në praktikë.
Në emisionin “Shqip” me Rudina Xhungën në Dritare TV, një analizë e thelluar mbi këtë çështje u bë nga Agron Shehu, inxhinier nafte me përvojë shumëvjeçare në Shqipëri dhe jashtë saj, si dhe kryenegociator për marrëveshjen e kërkim-zbulimit të naftës në Dumre. Shehu analizoi strukturën teknike dhe financiare të kontratave të lidhura me kompanitë e huaja, me fokus të veçantë te “Bankers Petroleum” dhe sqaroi se si është lejuar në mënyrë sistematike zhvatja e resurseve natyrore shqiptare përmes klauzolave që favorizonin vetëm investitorin, ndërsa shteti mbetej me përfitime minimale.
“Punëtorët kanadezë dhe specialistët që ata kishin kontraktuar morën studimet dhe i çuan në banka kanadeze, ku i paraqitën dhe morën mbështetjen, për të ardhur më pas e për të negociuar me shqiptarët një marrëveshje. Ata formuan atë që njihet si Bankers Petroleum. Ndryshe nga e para, kjo ishte një marrëveshje production-sharing, pra investitori merr përgjegjësi të plotë për zhvillimin e operacioneve dhe për investimet. Këtu ka shumë rëndësi faktori financiar: kush do të investojë, si do të shlyhen investimet dhe si do të ndahet fitimi. Ajo çfarë shteti përfiton, përveç taksave, është edhe një rentë minerare, e cila është rreth 10–15%.
Në pamje të parë, kontratat që u lidhën duken të rregullta. Elementi kryesor aty është një faktor i quajtur R, i cili përfshin dy terma: të ardhurat dhe investimet. Nëse investimet janë të larta dhe të ardhurat të ulëta, atëherë koeficienti R është i vogël dhe aktiviteti rezulton pa fitim. Nëse investimet mbulohen 100% brenda një viti fiskal, atëherë është shumë e vështirë që kjo të dalë me fitim.
Kanadezët që realizuan marrëveshjen e dinin këtë, ndaj, në një farë mënyre, morën çfarë deshën pa dhënë gjë mbrapsht.
Po ju jap një analogji: është njësoj si të marrësh një shtëpi me qira dhe të mos paguash qiranë, por të paguash vetëm ujin dhe dritat – vetëm ato fatura. Dhe është njëlloj sikur t’i thuash qiradhënësit: ‘Unë po paguaj vetëm këto, se për qiranë nuk kam mundësi.’ Kjo është situata në Patos-Marinzë. Edhe në Visokë është po e njëjta gjë. Nëse prodhohen 100 ton naftë, nga këto 12% shkojnë për rentën minerare që e merr shteti. Pra, ngelen 88 ton naftë, nga të cilat ata mbulojnë kostot. Dhe kështu nuk ngelet fitim. Këtë deklarojnë ata kur vjen momenti që diskutohen përfitimet që janë marrë nga nafta.”-u shpreh ai në Dritare TV.
Deklaratat e Agron Shehut hedhin dritë mbi një problem të thellë dhe të hershëm: mënyrën sesi burimet natyrore të Shqipërisë janë vënë në dispozicion të kompanive të huaja përmes marrëveshjeve të pabarabarta dhe mekanizmave financiarë që i kanë lënë institucionet shqiptare pa kontroll real dhe pa përfitime të ndjeshme ekonomike. Arrestimet e fundit janë ndoshta vetëm maja e ajsbergut në një histori të gjatë shpërdorimi, ku nafta shqiptare është nxjerrë dhe shitur, por jo në funksion të zhvillimit të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Tashmë, më shumë se kurrë, ka nevojë për transparencë të plotë, auditim të thelluar të kontratave ekzistuese dhe një politikë të re energjetike që e vendos interesin kombëtar në qendër të vendimmarrjes./ dritare.net

















