
Nisën arrestimet. Si e vodhi Bankers naftën shqiptare! Flet gjeologu
Dritare.net
Leonidha Çobo, ish-administrator dhe Hongping Xiao, shtetas kinez dhe drejtor aktual në “Bankers Petroleum” janë arrestuar pas një aksioni të Prokurorisë së Fierit për evazion fiskal dhe pastrim parash.
Ndërkohë, gjeologu Gjergji Foto akuzoi publikisht kompaninë për kontrata abuzive dhe vjedhje të pasurisë kombëtare përmes mashtrimeve financiare.
I ftuar në emisionin “Shqip” me Rudina Xhungën në Dritare TV, gjeologu dhe specialisti i njohur Gjergji Foto u shpreh se kjo kompani, që është operator dominues i naftës në Shqipëri, në kontratën fillestare parashikonte që kur të gjitha shpenzimet të jenë balancuar me fitimet, të ardhurat mes Shqipërisë dhe bankës, do të ndaheshin 50 me 50. Por ka 21 vite që Shqipëria, nuk ka hyrë në fazën e fitimit.
“Bankers paguan, por nuk paguan atë që duhet të paguajë. Pse ndodh kjo? Sepse ata mashtrojnë me aktivitetin e tyre, sepse nuk i kontrollon njeri.
Kontrata ka qenë e tillë, nëse Bankers arrin të prodhojë naftë dhe të shesë aq sa të barazojë të gjitha shpenzimet që ka bërë, që nga ky moment derisa të përfundojë do të ndajë me Shqipërinë gjysmën e të ardhura. Në fakt ka 21 vjet që nuk po hyn në fazën e fitimit 50 me 50.
Humbjet tona nuk janë vetëm monetare, por edhe një humbje morale, që na bëjnë për budallenj. Kemi sakrifikuar tej mase, janë burgosur e janë pushkatuar prej naftës, kemi kaluar tmerre, dhe kjo e gjitha është zeruar.
Paratë që merr Bankers kalojnë në Kanada, SHBA, Britani dhe një 10 % në Francë", u shpreh gjeologu Foto në Dritare TV
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur dosja ndaj “Bankers Petroleum” ka hyrë në një fazë intensive hetimore dhe ku priten zhvillime të tjera nga drejtësia./K.C/dritare.net

















