Na ndiqni edhe në

Shqip

Bardhyl Reso: Si u shkatërrua energjetika shqiptare!

Bardhyl Reso: Si u shkatërrua energjetika shqiptare!

Në një intervistë për emisionin 'Shqip' në Dritare TV me gazetaren Rudina Xhunga Bardhyl Reso, ka bërë një analizë të thellë dhe tronditëse të sektorit energjetik në Shqipëri.

Biseda u shtri nga periudha e ndërtimit të veprave të mëdha hidroenergjetike, te shkatërrimi i instituteve studimore pas viteve '90, e deri te krizat aktuale të menaxhimit dhe korrupsionit. Reso, i cili ka punuar krah emrave të mëdhenj si profesor Petrit Radovicka, solli në vëmendje paradoksin e madh të Shqipërisë: një vend i pasur me burime ujore, por që ende vuan nga keqmenaxhimi dhe mungesa e vizionit strategjik.

Ai theksoi se veprat e ndërtuara para viteve '90, veçanërisht kaskada e Drinit, mbeten ende shtylla kurrizore e energjisë shqiptare, ndërsa investimet e reja shpesh janë bërë pa kritere teknike, duke dëmtuar mjedisin dhe ekonominë. Një pikë kyçe e analizës së Resos ishte korrupsioni në tregtimin e energjisë. Ai shpjegoi mekanizmin se si kontratat e shitblerjes së energjisë ndryshohen në minutat e fundit për interesa klienteliste, duke i shkaktuar dëme kolosale buxhetit të shtetit.

Sipas tij, ndërsa para viteve '90 kufizimet vinin nga mungesa e valutës, pas viteve '90, 'errësira' shpesh ka qenë rezultat i pazareve të pista me tenderët e energjisë. Reso kritikoi ashpër edhe politikën e dhënies së koncesioneve për qindra hidrocentrale të vegjël, të cilat kanë shkatërruar lumenjtë si Valbona dhe Vjosa pa dhënë ndonjë kontribut madhor në sistemin energjetik. Ai gjithashtu ngriti pikëpyetje mbi mosfunksionimin e TEC-it të Vlorës dhe planet për të sjellë TEC-e lundrues, të cilat i konsideron zgjidhje të shtrenjta dhe të përkohshme. Në përfundim, mesazhi i Bardhyl Resos ishte i qartë: Shqipëria ka kapacitete njerëzore dhe natyrore për të qenë e pavarur dhe e zhvilluar, por kërkohet rikthimi te shkenca, te studimet e mirëfillta dhe largimi nga menaxhimi politik e korruptiv i sektorit më jetik të ekonomisë./K.C/dritare.net