Na ndiqni edhe në

Shqip

Çfarë ndodh nëse SHBA-ja del nga NATO-ja? Flet Dritan Goxhaj!

Çfarë ndodh nëse SHBA-ja del nga NATO-ja? Flet Dritan Goxhaj!

Dritan Goxhaj i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV e ka përjashtuar mundësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin nga NATO, duke theksuar se vetë ekzistenca e aleancës varet nga prania amerikane. Goxhaj u shpreh se NATO nuk funksionon si një aleancë mes të barabartëve, por si një strukturë ushtarake hierarkike e drejtuar nga SHBA.

“Në momentin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dalin nga NATO, NATO nuk ka më,” deklaroi ai.
Sipas Goxhajt, të gjitha vendimmarrjet reale në NATO merren nga Uashingtoni, ndërsa proceset e votimit mes vendeve anëtare shërbejnë kryesisht për formalitet politik.

“Nuk merren vendime siç mendojnë njerëzit, që ulemi të gjithë rreth tryezës dhe votojmë. Vendimi merret më parë dhe pastaj bëhet spektakli,” tha ai.

Goxhaj theksoi se dalja e SHBA nga NATO do të ishte e pakuptimtë nga pikëpamja strategjike, pasi aleanca është mjeti kryesor i ndikimit amerikan në Evropë. “NATO nuk është aleancë. NATO është një strukturë burokratike ushtarake me hierarki, dhe këtë hierarki e drejtojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” u shpreh ai.
Sipas tij, edhe në rast se vendet evropiane do të largoheshin nga NATO, kjo nuk do ta cenonte ekzistencën e saj.

“Nga NATO mund të dalë Danimarka, por NATO nuk prishet. Nuk kanë asnjë vlerë këto dalje për prishjen e NATO-s,” tha Goxhaj.
Ai shtoi se deklaratat dhe presionet politike të figurave amerikane, përfshirë edhe presidentin Donald Trump, nuk duhet të interpretohen si paralajmërim për dalje nga NATO.

“Janë presione politike. Amerikanët nuk kanë interes ta prishin NATO-n, sepse NATO është instrumenti i tyre,” përfundoi Goxhaj./K.C/dritare.net