Na ndiqni edhe në

Shqip

Gënjeshtrat dhe të vërtetat për COVID-19! Flet mjeku anestezist Alban Beltoja!

Gënjeshtrat dhe të vërtetat për COVID-19! Flet mjeku

Pandemia e Covid-19 vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të keqkuptuara të shekullit XXI, e shoqëruar nga teori konspirative, mohime dhe relativizime. Por dëshmia e atyre që e përjetuan nga brenda rrëzon çdo dyshim. Një prej tyre është mjeku anestezist shqiptar Alban Beltoja, që punon në spitalin e Lodit në Itali, një nga vatrat e para dhe më të goditura nga pandemia në Evropë.

Në një intervistë për gazetarin Dritan Hila në DritareTv, Beltoja rrëfeu dramën që përjetuan spitalet italiane në ditët e para të Covid-19.

“Reanimacioni ynë kishte 7 vende. Brenda tre javësh u bënë 27. Mbaruan shtretërit, mbaruan ventilatorët, mbaruan pompat e infuzionit, mbaruan ilaçet. Nuk kishim më ku të fusnim njerëzit.”



Si u zbulua pacienti i parë?

Beltoja kujton se që në janar 2020 kishte raste të pazakonta pneumonie, por shpërthimi real nisi nga mesi i shkurtit.

“Filluan të vinin njerëz me temperaturë të lartë, kollë që nuk ndalej dhe vështirësi në frymëmarrje. Përkeqësoheshin jo brenda ditëve, por brenda orëve.”

Pacienti i parë i identifikuar ishte një 37-vjeçar, pa histori udhëtimi në Kinë.

“Vendosëm t’i bëjmë tamponin duke thyer protokollin. Në orën 9 të mëngjesit erdhi përgjigjja: pozitiv. Pas atij momenti, gjithçka shpërtheu.”


Jo të moshuar, por njerëz në kulmin e jetës!

Një nga mitet më të mëdha, sipas Beltosë, është se Covid-19 preku vetëm të moshuarit.

“Reanimacioni u mbush me 55-60-vjeçarë, njerëz në kulmin e jetës dhe të karrierës. Nuk po shikonim pleq, po shikonim njerëz aktivë që nuk po ia dilnin.”

Dhe shifrat ishin tronditëse:

“Në valën e parë vdekshmëria në rianimacion ishte rreth 60%. Nga 100 pacientë, vetëm 40 dilnin gjallë. Në Shqipëri ishte edhe më keq, deri në 80%.”

Ai e përmbyll me një konkluzion të prerë:

“Asnjë grip në histori nuk ka pasur vdekshmëri 60-80% te të shtruarit në rianimacion.”

Pse u ul vdekshmëria më vonë?

Rënia e vdekshmërisë nuk ishte sepse virusi “nuk ishte i rrezikshëm”.
“Në valën e dytë ne kishim eksperiencë. I dinim mekanizmat e sëmundjes, dinim si të trajtonim dëmtimin e mushkërive dhe enëve të gjakut. Në valën e parë ishim të verbër.”

Edhe virusi vetë ndryshoi:

“Me mutacionet, zakonisht viruset bëhen më të përhapshëm, por më pak vdekjeprurës.”

Vaksina: përfitimi shumë më i madh se rreziku!

Beltoja hedh poshtë frikën nga vaksinat.

“Të gjitha studimet tregojnë se vaksina ka shpëtuar miliona jetë. Raporti rrezik-përfitim është qartësisht në favor të vaksinës.”

Efektet anësore ekzistojnë, por janë shumë të rralla:

“Sindroma Guillain-Barré ndodh rreth një herë në 200 mijë raste, si pas infeksionit, ashtu edhe pas vaksinës. A do të thotë kjo që nuk duhet të vaksinojmë 200 mijë të tjerë? Teknologjia e ARN-së nuk u shpik për kovidin. Ajo po zhvillohej për tumoret. Kovidi vetëm e përshpejtoi përdorimin.”

Në fund të intervistës, mesazhi i Alban Beltojas ishte i qartë:

“Covid-19 nuk ishte një trill, nuk ishte një grip. Ishte një katastrofë mjekësore. Dhe vetëm shkenca, vaksinat dhe përvoja e mjekëve na nxorën prej saj.”/K.C/dritare.net