
Shaban Haxhia Demaliaj, komandanti legjendar që kërkoi bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës!
Dritare.net
Skënder Demaliaj vjen sonte në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të treguar historinë e xhaxhait të tij, komandant i Brigadës së Shtatë Kosovare, që njihet për vendosmërinë e tij për t'u bashkuar Shqipëria dhe Kosova.
"80 vjet më parë, më 11 nëntor 1944 në Gjakovë krijohet Brigada e Shtatë Kosovare, komandant i së cilës zgjidhet Shaban Haxhia. Në historiografinë kosovare, Brigada e Shtatë është emërtuar Brigada e Shaban Haxhisë. Veprimtaria e tij prej 5 vjetësh i kishte kaluar kufijtë e Tropojës. Ai, me punën e tij këmbëngulëse, me guxim e kurajo arriti t’i organizojë e bashkojë njerëzit në Tropojë e Kosovë rreth Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me aftësitë e tij drejtuese fitoi besimin dhe zemrat e tyre. Shaban Haxhia është udhëheqësi kryesor politik e ushtarak i çetës “Bajram Curri”, i batalionit “Bajram Curri”, i aradhës “Curri-Rexhepi”, delegat në Konferencën e Bujanit dhe një nga nismëtarët e nenit të Rezolutës për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje e për t’u bashkuar me Shqipërinë. Në krye të kësaj brigade me djem të zgjedhur e trima të Kosovës u çliruan njëra pas tjetrës krahina e qytete në Kosovë. Përveç kësaj, kjo brigadë u bë mbështetja kryesore e popullsisë shqiptare për të mos lejuar terrorizmin e saj nga forcat çetnike serbe. Kosovarët gjetën te ajo një strehëz të sigurtë për jetën. Është kjo arsyeja që u shtuan radhët e saj, duke arritur deri në 17 mijë numri i luftëtarëve të saj; është kjo arsyeja që shtabi i kësaj brigade u arrestua me urdhër të Komandës së Lartë jugosllave, është kjo arsyeja që ajo u urdhërua të largohej nga Kosova e të luftonte në viset jashtë saj. Është kjo arsyeja që u rrit simpatia dhe popullariteti i komandantit të saj Shaban Haxhi Demaliaj, popullaritet, i cili ruhet edhe në ditët e sotme e për të cilin këndohet. Shaban Haxhi Demalia (1916-1971) ndërroi jetë në moshë të re, nga një sëmundje e rëndë.", tregon Dr. Skënder Demaliaj në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV./K.C/dritare.net

















