Na ndiqni edhe në

Udhëtim

Express: Thethi, fshati i vogël shqiptar që duket si Zvicra, por kushton shumë më pak

Express: Thethi, fshati i vogël shqiptar që duket si Zvicra, por

Express

I fshehur mes Alpeve Shqiptare, larg turmave dhe zhurmës së destinacioneve turistike të njohura europiane, Thethi po cilësohet gjithnjë e më shumë si “Zvicra e Ballkanit” – por pa çmimet e shtrenjta dhe mbipopullimin.

I vendosur në rajonin e Shkodrës, në veri të Shqipërisë, Thethi është një nga sekretet më të bukura të Europës. Ky fshat piktoresk, pjesë e Parkut Kombëtar të Thethit, ofron pamje mahnitëse të maleve, pyjeve të dendura dhe natyrës së paprekur. Me një popullsi prej pak më shumë se 300 banorësh, Thethi është destinacioni ideal për ata që kërkojnë qetësi, aventurë dhe autenticitet.

Mikpritje dhe traditë shekullore

Banorët vendas i presin turistët me mikpritje të ngrohtë, duke ruajtur mënyrën e tyre tradicionale të jetesës prej brezash. Vizitorët që dëshirojnë të përjetojnë kulturën shqiptare nga afër mund të qëndrojnë në shtëpi pritëse familjare, bujtina apo shtëpi të restauruara pranë parkut kombëtar, ku ushqimi tradicional dhe atmosfera familjare janë pjesë e përvojës.

Natyrë e egër dhe aventura në këmbë

Parku Kombëtar i Thethit shtrihet në mbi 26 kilometra katrorë dhe përfshin lumin e Thethit, burime kristal të ujit, male shkëmbore dhe lugina që ndodhen rreth 900 metra mbi nivelin e detit.

Një nga atraksionet kryesore është Ujëvara e Grunasit, 25 metra e lartë, e cila ndodhet në zemër të Alpeve Shqiptare. Nga aty nis edhe shtegu drejt Syrit të Kaltër të Thethit, një nga mrekullitë natyrore më të bukura të Shqipërisë. Kjo ecje prej rreth 17 kilometrash, që lidhet me fshatin Nderlysaj, shpërblen çdo lodhje me ujëra ngjyrë bruz dhe smeraldi, të rrethuara nga shkëmbinj gëlqerorë.

Për ata që preferojnë një ritëm më të qetë, Nderlysaj ofron restorante tradicionale me pamje mbi pishina natyrore dhe male madhështore — një vend ideal për pushim dhe drekë në natyrë.

Çfarë duhet të dini para se të vizitoni

Thethi mbetet ende një destinacion i largët dhe herë pas here i paarritshëm gjatë muajve të dimrit për shkak të kushteve atmosferike. Gjithashtu, në fshat nuk ka bankomate, dhe shumica e dyqaneve apo kafeneve pranojnë vetëm para në dorë. Për këtë arsye, vizitorët këshillohen të marrin me vete mjaftueshëm para cash.

Një arratisje perfekte nga jeta urbane

Me peizazhe alpine që rivalizojnë Zvicrën, por me çmime më të përballueshme dhepa turma turistësh, Thethi është destinacioni perfekt për udhëtarët që kërkojnë një arratisje në natyrë, larg ritmit të shpejtë të qytetit.

Nëse kërkoni paqe, bukuri natyrore dhe aventura të paharrueshme, Thethi është një vend që duhet vizituar patjetër./L.F-dritare.net