
Valentina Ndou, një zonjë nga Shkodra në Bashkinë, Monteroni, Lecce!
Dritare.net

Valentina Ndou, një shqiptare me origjinë nga Shkodra, sapo ka marrë një post të rëndësishëm në Itali. Ajo tashmë i është bashkuar ekipit të komunës së Monteroni di Lecce që drejtohet nga Angelina Storina, raporton dritare.net. Ndout i është besuar posti si drejtoreshë në bashki për çështjet e politikave sociale, shërbimet personale, trajnimin profesional, arsimin dhe inovacionin, për 8 muajt e ardhshëm.
Valentina Ndou, u shpërngul në vitin 1999 në Itali, me qëllimin për të ndjekur studimet pasuniversitare në gradën master për “Marketingun dhe zhvillimin e sistemeve territoriale” dhe me pas studimet 3 vjecare te doktoratures ne ‘eBusiness’.
Që prej 2006 ajo është pedagoge në Departamentin e Inxhinierisë së Inovacionit të Universitetit të Salentos, raporton dritare.net. Një ndër emrat më të rëndësishëm të këtij departamenti ajo ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. E gjithë puna e saj, sipas dritare.net është e fokusuar në zbulimin e risive teknologjike, që do t'i vijnë në ndihmë biznesit dhe kompanive në sektorë të ndryshëm. Vitet e fundit, ajo është përfshirë në projekte të shumta kërkimore kombëtare dhe evropiane, disa prej të cilave kanë të bëjnë me zhvillimin e modeleve të reja të biznesit për turizëm ndërkufitar.
Si Pedagoge dhe kerkuese shkencore e ketij departamenti, raporton dritare.net, Dr. Valentina Ndou është një mbështetje e madhe për të gjithë studentët e saj për zhvillimin e
ideve të reja në teknologji.
Aktualisht ajo është koordinatore e projektit Interreg IPA CBC, që përfshin Italinë-Shqipërinë- dhe Malin e Zi, me qëllim bashkëpunimin mes këtyre shteteve në aspektin teknologjik, për zhvillimin e turizmit. Ajo është autore e mbi 40 botimeve shkencore në revista, dhe shprehet se: "E ardhmja varet nga ajo që bëjmë në të tashmen", ndaj ajo sot po jep një kontribut të vyer në fushën e teknologjisë së inovacionit, që do t'i shërbejë të gjithëve në një të ardhme të afërt./L.F-dritare.net

















